Monday, 19. January 2026
Sport

Llapi e fiton derbin me Dritën dhe i afrohet Ballkanit, Fushë Kosova e Gjilani ndahen baraz

GS 10/02/2024 2 Min. Lesezeit

Llapi e ka fituar derbin e xhiros së 19-të të Superligës, të parën për sezonin pranveror, përforcon pozitën e dytë dhe i afrohet në vetëm tri pikë vendit të parë.

Llapjanët të shtunën mposhtën Dritën në derbin e xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës me rezultatin 1:0.

Golin e vetëm në ndeshjen që u zhvillua në terrenin me bar sintetik në Gjilan e shënoi ish-futbollisti i Dritës, Arbnor Ramadani.

Pas eliminimit në Kupë, javën e kaluar, skuadra e Tahir Batatinës, i afrohet në vetëm tri pikë Ballkanit, por që skuadra lidere do të luajë të dielën përballjen e parë të stinorit pranveror, në udhëtim te Liria.

Të shtunën, në kuadër të xhiros së 19-të u luajt edhe dueli ndërmjet Fushë Kosovës e Gjilanit, që përfundoi 1:1.

Sfidën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, e zhbllokoi në minutën e 40-të, Senad Jaroviq i Gjilanit, derisa vendësit e barazuan rezultatin në minutën e 76-të, kur zëvendësuesi Dorent Hajdari me një goditje të fortë e të saktë nga jashtë 16-shi, shënoi për 1:1.

Pas javës së 19-të në elitën e futbollit të Kosovës, Gjilani renditet në vend të tetë me 19 pikë e Fushë Kosova në të nëntin me 11 sosh.

Të dielën zhvillohen edhe tri ndeshjet e tjera të kësaj jave, ku përballen: Liria – Ballkani, Dukagjini – Malisheva dhe Prishtina – Feronikeli 74.

Teilen: