Euforia është kënaqë si, lumturi dhe ale gri. Euforia është sinonim i Interit. Çdo komponent shkon paralelisht me situatën e zikaltërve në këtë moment. Skuadra, trajneri, klubi dhe tifozët kanë vetëm një qëllim: titullin kampion. Interi po pret me padurim, pret të luajë, të fitojë dhe t’i afrohet yllit të dytë. Ka nisur një shkëputje, por deri sa nuk prek dot medaljet, atëherë nuk ka vend për festë. Por gjithçka ndihet në ajër. Interi kthen kokën pas dhe nuk ka asnjë që e ndjek.
REKORD TIFOZËSH- Të vetmit që kanë besuar që nga dita e parë për titullin kanë qenë tifozët zikaltër. Për herë të 12-të radhazi në kampionat, nga 18 ndeshje në total në “Meazza” do të jenë mbi 70 mijë spektatorë. Salernitana ditën e nesërme, vlen po aq sa Juventusi 10 ditë më parë, vlen 3 pikë. Dhe në fund, ky është mesazhi më i mirë që mund t’u jepet futbollistëve.
Nuk duhet menduar aspak Atletiko e Madridit, por vetëm ylli i dytë në fanellë. Kështu, për t’u përqendruar maksimalisht. Interi ka një mesatare tifozësh më të lartë sesa ajo e vitit të kaluar: 73.089 kundrejt 72.630. Edhe në tribuna, Interi mban vendin e parë.
IDEJA E ÇMENDUR- Numri i lartë i tifozëve ka bërë që lojtarët të jenë gjithmonë të lidhur akoma më shumë me ta, ta ndjejnë si detyrim fitoren e një ndeshjeje. Nuk i harrojnë kurrë nëpër deklarata dhe kjo është një lidhje e bukur. Lautaro me shokë duan thjesht të vrapojnë për njerëzit e tyre në stadium. Sepse momenti negativ i kundërshtarëve duhet shfrytëzuar, për të thelluar akoma më shumë diferencën me skuadrat, për ta çuar më shumë sesa +7. Ekziston një ide e çmendur në mendjet e interistëve: Ta fitojnë titullin kampion në 21 prill në derbin kundër Milanit. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme.
INZAGI, I QETË- Sigurisht që euforia për të cilën folëm në fillim mund të rezultojë fatale për Interin. Dhe Simone Inzagi kërkon që skuadra dhe lojtarët të mbajnë një profil të ulët dhe të mendojë se rruga është ende shumë e gjatë dhe nuk kanë fituar asgjë për momentin. Kërkon të depërtojë në mendjen e lojtarëve për atë aspekt që ai dhe ata mund të kontrollojnë, sepse çfarë thuhet jashtë skuadrës nuk e kanë ata në dorë.
Madje, trajneri nuk i ka kaluar në heshtje gabimet e bëra në ndeshjen kundër Romës në pjesën e parë. Kanë marrë një vëmendje të veçantë në analizë që të mos ndodhin më. Ndoshta do të ndodhë më shpesh që të ketë më shumë vështirësi në javët e ardhshme nisur nga kalendari i ngjeshur.
PROGRAMIM- Interi po shtyn në të njëjtën anë në të gjitha aspektet. Kurrë nuk ka qenë kaq pozitiv raporti mes trajnerit dhe klubit. Mjafton të kujtojmë se çfarë situate ishte vjet në këto kohë. Trajneri rrezikonte vendin. Por sot, ai është më i blinduar se kurrë. Do të vazhdojë punën dhe për të ardhmen. Klubi ka bërë dy goditje si Taremi dhe Zielinski, profile lojtarësh që përshtaten me zikaltrit.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL