Champions-i sivjet shpërndan 2 miliardë euro ndërkohë që Liga e Europës 465 milionë. Mjafton kaq për të kuptuar përfitimet nga këto turne për ekipet pjesëmarrëse, megjithatë Milani është i detyruar të kufizojë dëmet pasi dukshëm nuk mund të arkëtojë më 130 milionë euro nga Europa siç i ndodhte një vit më parë ku ndalej në gjysmëfinalet e Champions-it.
Sidoqoftë, në “Casa Milan” nuk mund të ankohen pasi deri në këtë pikë kanë përfituar 65 milionë euro që kanë ardhur nga renditja UEFA, rezultatet, të ardhurat nga marketingu dhe biletat e “San Siro”-s.
Sidoqoftë, përfitimet mund të vazhdojnë nëse “Djalli” do të kualifikohet pasi kalimi i këtij turi “play-off” vlen 1.2 milionë euro. Çerekfinalet e Ligës së Europës do të vlejnë 1.8 milionë euro ndërsa gjysmëfinalet 2.8.
Thuajse 9 milionë do të ishte përftimi në rast kualifikimi dhe triumfi në finale. Pra kuqezinjtë në këtë fushatë europiane, në rast suksesi, do të arrinin të përfitonin të paktën 15 milionë euro të cilave do t’i shtoheshin 5 milionë nga marketingut dhe 3.5 për shkak se do të luanin edhe Superkupën e Europës.
Shifra është më minimalja, sepse në arkat do të shtoheshin paratë e shitjeve të biletave të cilat aktualisht nuk mund të llogariten.
ENTUZIAZËM – Është e qartë se matësi nuk mund të jetë 9.1 milionë të një vit më parë për 1/8-at e Championsit me Tottenhamin, por nëse Milani shkon përpara në turne, perspektiva prej 3 milionë për ndeshje (në rritje ), është legjitime.
Sot kundër Ren, ndërkohë, edhe pse është vetëm një “play-off”, për shembull priten 66 mijë spektatorë. Entuziazmi është i prekshëm, klubi po e shijon dhe ndërkohë shpreson që fluksi i parave, edhe pse i vogël, do të vazhdojë. Me një projeksion të qartë, duke marrë parasysh të gjithë parametrat në valle, ngritja e trofeut në Dublin mund të sjellë rreth dyzet milionë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL