Pas humbjes nga Bashkimi në xhiron e shkuar, Peja i është kthyer fuqishëm Superligës duke e mposhtur Vëllaznimin në “Shani Nushi” sonte me 18 pikë dallim, 74-82. Verdhezinjtë shpërthyen në çerek të dytë të ndeshjes, kur nisën me seri 0-10, ndërsa e morrën këtë dhjetëminutësh të lojës me 16-36.
Prej këtij momenti kthim më nuk kishte për Vëllaznimin në lojë, që kishte marrë epërsinë pas periudhës së parë me 15-14. Përkundër se u munduan në çerek të fundit, me një seri të mirë, gjakovarët e drejtuar nga Vladimir Krstic ishin të pafuqishëm të bënin më tepër dhe kështu pësuan humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit në kampionat.
Larry Thomas me 25 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i Pejës në fitore, ndërsa amerikani bëri edhe 6 asistime e 5 kërcime në këtë ndeshje. Me 17 pikë u dallua Justin davis, që bëri 5 asistime e 4 kërcime. Kurse me 16 pikë lojën e mbylli Arian Qallaku.
Vendasit assesi të arrijnë një fitore “të madhe” pas përforcimeve të fundit, ndërsa me 18 pikë e 5 kërcime koshashënues më i mirë sonte për ata ishte Jahenns Manigat. Me 16 pikë lojën e mbylli Marvin Jones, që bëri edhe 5 asistime e 5 kërcime, ndërsa 13 pikë i dha Jalen Ray.
Me këtë fitore, të parën në ciklin e fundit të ndeshjeve të stinorit të rregullt, Peja bën bilancin e përgjithshëm 16-6, ndërsa Vëllaznimi tash është me bilanc 9-13. Xhiron që vjen, Vëllaznimi pret Bashkimin, ndërsa Peja Prizrenin.