Real Madridi dhe Manchester City, synojnë të jenë skuadrat e radhës që do të avancojnë në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Të dyja skuadrat, sot prej orës 21:00 do t’i luajnë në shtëpi ndeshjet e kthimit të 1/8 së finales të Championsit. Real Madridi do të përballet me Leipzigun, ekip të cilin e mposhti 1:0 në ndeshjen e parë të luajtur në Gjermani.
Ndërkohë, City e pret skuadrën e Copenhagenit ndaj të cilës triumfoi 3:1 në duelin e parë që u zhvillua në Danimarkë javë më parë. Si Real Madridi ashtu edhe City që është kampion në fuqi i Evropës, llogariten favoritë për t’u kualifikuar në mesin e tetë skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve për këtë edicion.
Në anën tjetër, Leipzigu dhe Copenhageni pritet të sulmojnë prej fillimit të ndeshjes pasi synojnë të shkaktojnë befasi në fazën përfundimtare të kësaj gare.
Real Madridi ndaj Leipzigut futet pas barazimit në La Liga 2:2 kundër Valencias, ndërsa City vikendin e shkuar triumfoi 3:1 ndaj Manchester Unitedit. Në çerekfinale të Championsit tashmë janë kualifikuar Bayern Muncheni dhe Paris Saint-Germaini.
Skuadra e Bayernit në 1/8 e finales eliminoi Lazion me rezultatin e përgjithshëm 3:1 pasi triumfoi 3:0 në duelin e kthimit të luajtur të martën mbrëma në Gjermani. Ndërkohë, PSG-ja fitoi 2:1 në ndeshjen e kthimit ndaj Real Sociedadit, të cilin e eliminoi nga kjo fazë me rezultatin e përgjithshëm 4:1.