Liga më e fortë e futbollit në botë, Premier League, ka thënë se kanalet serbe “ArenaSport” nuk kanë autorizim për t’i transmetuar ndeshjet e kësaj lige në Kosovë, përmes platformës “ArtMotion”, bazuar në letrën e publikuar nga Valon Ramadani, kryetar i Komisionit Parlamentar për Media.
Ramadani ka kërkuar që rasti të trajtohet nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
“Si kryetar i Komisionit për Media, pas diskutimeve e shqetësimeve të shumta të ngritura në Komision e në publik në lidhje mbi pretendimet për transmetim të paligjshëm dhe të paautorizuar të Premier Ligës Angleze në Kosovë nga platforma “ArtMotion” përmes kanaleve serbe “ArenaSport”, unë i jam drejtuar me letër vet Premier Ligës nga të cilët kam kërkuar sqarim. Përgjigja e tyre ishte e qartë: Premier Liga nuk e ka autorizuar Artmotion të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar Arena Sportin nga Serbia të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë. Transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”, ka njoftuar ai në Facebook.
Në letrën e Premier Leagues thuhet se ajo nuk e ka autorizuar “direkt ‘Artmotionin’ t’i transmetojë ndeshjet e Premier Leagues në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar ‘Arenan’ t’i japë leje ‘Artmotionit’ të shpërndajë ndeshjet e Premier Leagues në Kosovë”. Premier League ka thënë se, me aq sa ka njohuri, “Arena” ka versione të kanaleve sportive pa ndeshjet e Premier Leagues për Kosovën.
Kanalet televizive nga Serbia, “Arena Sport”, ishin ndërprerë muaj më parë për transmetim në kabllorët kosovarë pas transmetimit të sporteve ku lavdëroheshin terroristët serbë që organizuan sulmin në Banjskë.
Bordi i Komisionit të Pavarur për Media në fillim të shkurtit, pasi kanalet u kthyen në transmetim, pati thënë se të drejtën e transmetimit të Premier Leagues angleze e kanë “Digjitalb” dhe “Arena Sport”.
Në sqarim të mëvonshëm të platformës, “Digjitalb”, u tha se kanalet e “Arena Sportit” nuk e kanë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës angleze në Kosovë. Sipas njoftimit, këtë të drejtë e ka vetëm “Digitalbi” dhe kjo, sipas kompanisë, i është bërë me dije Komisionit të Pavarur të Mediave përmes shkresave të shumta që ka pranuar nga “The Football Association Premier League Limited”, të fundit më 19 tetor 2023.