Superliga Europiane, aktiviteti që synon të rivalizojë së shpejti më Ligë e Kampioneve dhe turnetë e organizuara nga UEFA, do të jetë e detyruar që të ndryshojë emrin.
Shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Bashkimit Europian për mbrojtjen e markave, që ka pranuar apelimin e Ligës Daneze.
Superliga në Danimarkë e kishte regjistruar këtë emër si markë komerciale ndaj asnjë vend tjetër apo organizatë brenda Bashkimit Europian nuk lejohet ta përdorë atë për aktivitete futbollistike.
“Superliga është një markë komerciale e cila është pronësi e përbashkët e klubeve daneze, ndaj nuk mund të lejohet që një ligë e ardhshme në Europë të regjistrojë markën Superliga si komerciale në Bashkimin Europian. Autoriteti për mbrojtjen e markave brenda BE ka dhënë aprovimin e plotë ndaj klubeve daneze për këtë temë”, theksoi liga daneze në një komunikatë zyrtare.
Tani mbetet të shihet se si do të ndryshojë emri i projektit të drejtuar nga Floirentino Perez dhe mbështetur nga Joan Laporta, të cilët vazhdojnë të kërkojnë klube të tjera partnere për të bërë të mundur realizimin e një lige me skuadrat elitare në Europë.