Kombëtarja e Kosovës ka filluar grumbullimin e parë për këtë vit nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Franco Foda dhe stafit të tij.
Pas një pauzeje prej katër muajsh, Dardanët kthehen me një mision të ri – për rrugëtim të suksesshëm, gjë të cilën synojnë ta ndërtojnë duke filluar nga dy miqësoret e këtij muaji jashtë vendit kundër Armenisë dhe Hungarisë.
Në këtë sesion të parë kanë qenë të pranishëm 17 futbollistë, ndërsa ekipi pritet të kompletohet në stërvitjen e nesërme.
Pas përfundimit të stërvitjes, Vedat Muriqi tha se Kosova po e hap një faqe të re.
“Ishte dita e parë e stërvitjeve dhe dita që u njoftuam përsëafërmi të gjithë me stafin e trajnerëve. Do e hapim një faqe tjetër dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë që ta mësojmë taktikën dhe kërkesat e trajnerit. Në vizitën që trajneri Foda më bëri në Spanjë e kam njoftuar që grupi është i uritur për fitore”, tha ndër të tjera Muriqi në deklaratën pas stërvitjes.
Seancën e radhës stërvitore Kombëtarja e Kosovës e zhvillon, të martën, në orën 11:00, në Kampin Nacional në Hajvali.