Ferrari shpreson të ketë Carlos Sainz në garën e Çmimit të Madh të Australisë, që do të zhvillohet këtë fundjavë. Spanjolli është në Melburn por nuk është e sigurt nëse ai do të jetë në timonin e njëvendëshes së tij. Vetë Sainz e di mirë se dy javë për t’u rikuperuar nga operacioni i apandesitit nuk mjaftojnë ndaj nuk është ende 100%.
Ai do të provojë veten në provat e lira në Australi për të kuptuar nëse do të jetë i aftë plotësisht për të drejtuar Ferrarin e tij në garën e së dielës. Përpara kësaj piloti i Ferrarit do të duhet të kalojë edhe një test tepër të vështirë të vendosur nga FIA. Një test i gjatë 45 minuta që do të përdoret për të kuptuar nëse ai do të jetë i aftë për të drejtuar njëvendëshen e tij gjatë fundjavës australiane. Ai do të monitorohet nga mjekët, të cilët duhet të japin më pas miratimin për të bërë garën.
Spanjolli do të duhet të demonstrojë reflekse dhe reagime të shpejta gjatë testit. Ai do të duhet të jetë në gjendje të dalë nga kabina e makinës në më pak se 10 sekonda. Në 5 sekondat e para, Carlos duhet të zgjidhë rripat e sigurimit dhe të heqë timonin, më pas të kërcejë nga makina. Asgjë e vështirë për një pilot të stërvitur si ai, por duke pasur parasysh se është operuar në zonën e barkut, ai duhet t’i bëjë të gjitha këto pa ndjerë asnjë dhimbje. FIA vepron në këtë mënyrë për sigurinë e pilotit. Nëse Sainz nuk e kalon këtë test, atëherë do të jetë Berman ai që do të drejtojë Ferrarin në garën australiane.