“Final-Four” i Ligës Unike për basketbolliste do të mbahet javën e ardhshme në Prishtinë.
KBF Prishtina në bashkëpunim me FBK-në, do të jenë organizatore të kësaj ngjarje pasi të hënën e kanë firmosur kontratën. “Final Fouri” do të mbahet më datat 1 dhe 2 prill kurse do të paraqiten Bashkimi, Prishtina, Penza e Tirana.
Gjysmëfinalja e parë, do të jetë të hënën e ardhshme prej orës 17:00 kurse e dyta nga ora 20:00. Finalja do të mbahet një ditë më vonë nga ora 18:00, por prej orës 15:00 do të luhet ndeshja për vendin e tretë. Ky është edicioni i tretë i Ligës Unike për basketbolliste, ndërsa për herën e dytë po organizohet në Prishtinë.
Përderisa Bashkimi dhe Prishtina kanë siguruar dy pozitat e para në stinorin e rregullt, pozitat tre dhe katër do të definohen pas xhiros së fundit që zhvillohet këtë mesjavë. Aktualisht, Penza është e treta ndërsa Tirana e katërta dhe në xhiron e dhjetë do të përballen me Bashkimin përkatësisht Prishtinën.
Dueli mes Prishtinës dhe Tiranës luhet të martën prej orës 17:00, në të njëjtën kohë kur do të përballen edhe Partizani me Flamurtarin. Ndërkohë, ndeshja mes Penzës dhe Bashkimit, do të zhvillohet të mërkurën në orën 17:00.
Edhe këtë edicion, në Ligën Unike u paraqitën gjashtë skuadra, tri nga Kosova dhe tri nga Shqipëria, ndërsa në “Final Four” nuk u kualifikuan Partizani i Tiranës dhe Flamurtari i Vlorës.
Në dy edicionet e mëparshme, Ligën Unike e kanë fituar Prishtina dhe Partizani.