Sulmuesi brazilian Vinicius, ishte lojtari i zgjedhur sot në grumbullimin e Brazilit në Madrid për të prezantuar ndeshjen mes përfaqësueses së tij dhe Spanjës. Por menjëherë diskutimet kaluan mbi aktet e racizmit në Spanjë dhe pas disa pyetjesh, futbollist nisi të qante, pasi nuk i mbajti dot emocionet e tij.
“Mendoj se është e trishtë ajo që ndodh në çdo ndeshje, çdo ditë, në çdo ndeshje që luaj. Them gjithashtu se nuk është vetëm me mua, jo vetëm në Spanjë, është në gjithë botën. Në vendin tim ka vështirësi nëse je me ngjyrë, gjithmonë zgjidhet një i bardhë. I ndodhte edhe babait tim, nuk e punësonin për shkak të ngjyrës së lëkurës. Marr shumë fyerje për atë që po ndodh ndaj meje. Racisti është i lirë, nuk e denoncojnë. Çdo ditë që kalon, jam edhe më i trishtuar për të gjithë fyerjet që marr. Kjo është diçka që shoh, dhe luftoj pasi më zgjodhën mua. Unë luftoj që në të ardhmen të mos i ndodhë më askujt.
Të gjithë lojtarë e Spanjës i falënderoj për mbështetjen e tyre. por jo vetëm në Spanjë, në përgjithësi ka shumë racizëm. Gjithmonë lojtarët spanjollë më kanë mbështetur me mesazhe, me intervista që japin. Gjithmonë mendoja se FIFA, UEFA, CONMEBOL, do të bënin më shumë, siç bën Federata Braziliane. Unë dua që të luftoj për të gjithë të varfrit. Dua që kjo të ndryshojë, që kur të flas me mediat, të mos vij të flas për këtë.
Mendoj se duhet të flasin mbi të gjitha për atë që bëj në fushën e lojës. Është e qartë që duhet të përmirësohem por jam vetëm 23-vjeç dhe është një proces natyral. Ika i vogël nga Brazili dhe nuk munda të mësoj shumë gjëra për racizmin. Me raste kam më pak dëshirë që të luaj, më pak vullnet. Dua që të vazhdoj të luftoj”, tha lojtari i cili më pas nuk mbajti dot lotët para gazetarëve.
Vinicius Junior in tears as he talks about the racist abuse he has suffered in some Spanish stadiums.
pic.twitter.com/YBbP99STf8— Lucas Navarrete (@LucasNavarreteM) March 25, 2024
Këta të fundit, duke parë shpërthimin e tij emocional, duartrokitën futbollistin brazilian në shenjë mbështetje për atë që po bën në luftën kundër racizmit.
“Nëse njerëzit do të fillojnë të ndëshkojnë ata që bëjnë gjëra të tilla, çdo gjë do të jetë më e mirë për të gjithë botën. Sot bëhen shumë denoncime, dokumente dhe në fund ndodh ajo që i ndodhi një mikut tim në Barcelonë, hapet një proces gjyqësor dhe nuk ndodh asgjë. Mentaliteti nuk ndryshon nëse nuk flasim dhe në këtë mënyrë, njerëzit do të minimizojnë këtë lloj sjellje. Janë edhe fëmijë që i bëjnë këto gjëra. Nuk i fajësoj, sepse janë të pafajshëm dhe shohin atë që bëjnë prindërit e tyre.
Por asnjëherë nuk kam menduar të largohem nga Madridi, pasi nëse ik, do t’u jap të drejtë racistëve. Dua të vazhdoj të luftoj dhe të shënoj gola, në mënyrë që njerëzit të shohin gjithnjë e më shumë fytyrën time”, tha ndër të tjera Vinicius gjatë konferencës për shtyp.
PANORAMASPORT.AL