Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbajtur sonte Asamblenë e Përgjithshme të Punës për vitin 2023, në të cilën u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës.
Të pranishëm ishin 72 delegatë nga 88 me të drejtë vote.
Në fjalën hyrëse, presidenti Krasniqi foli për të arriturat e vitit 2023, me theks të veçantë u ndal tek marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, marrëveshja në vlerë 3 milionë euro me BKT Kosova, Platforma Evropiane e Sportit 2024, rritja e mbështetjes së madhe për federatat dhe sportistët etj.
Në emër të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, foli sekretari i përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, i cili përgëzoi KOK-un për Asamblenë dhe të arriturat, derisa foli për mbështetjet e MKRS-së për federatat sportive.
Në pjesën e punës, me shumicë absolute u miratua rendi i ditës.
Më pas, me propozimin e presidentit Krasniqi dhe miratimin e BE të KOK-ut, u votua unanimisht për Arben Fetahun, anëtar i ri i BE të KOK-ut. Fetahu zëvendësoi të dorëhequrin Jeton Beqiri.
Me shumicë votash u miratuan edhe pikat në vazhdim si: Procesverbali nga Asambleja e kaluar, raporti i punës 2023, raporti financiar, raporti i auditorit, raporti i Këshillit Mbikëqyrës të KOK-ut, raporti i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS), raporti i Agjencionit për Anti-Doping (KosADA), plani i veprimit 2024 dhe plani financiar 2024.
Në pikën të ndryshme, ishte raporti i Federatës së Notit të Kosovës, e cila pati diskutime mes FNK-së dhe KOK-ut në lidhje me diskriminimin e notares Hana Beiqi për mospjesëmarrje në dy kampionatet Botërore, diskriminim ky që u konfirmua edhe nga “World Aquatics” përmes një letre e cila u shfaq në Asamble.
Me propozim të nënpresidentit Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës, u diskutua për Federatat pa aktivitete, ku me shumicë absolute u vendos që ato Federata që nuk kanë aktivitete në gjashtë muajt e ardhshëm të ftohen në BE për diskutim dhe të shqyrtohet edhe mundësia për suspendim nga Asambleja.
Krejt në fund, u vendos edhe për anëtarët e Komisiot të Pavarur Zgjedhor. Me shumicë votash anëtarë të këtij komisioni u zgjodhën: Valon Nikçi (volejboll), Fadil Luta (pingpong), Genc Fazlija (mundje), Sabri Dragusha (bodybuilding) dhe Basri Maxhuni (triatlon).