Mungojnë edhe 80 ditë nga ndeshja e parë që Shqipëria do të zhvillojë me Italinë në fazën finale të Europianit të Gjermanisë, ku shorti na ka vendosur edhe me Spanjën dhe Kroacinë në grup. Padyshim që është ende herët, por në miqësoret e këtij muaji, trajnerët kanë provuar lojtarë dhe module loje të ndryshme. “Panorama Sport” do të sjellë formacionet e mundshme ose disa projeksione të kombëtareve që kuqezinjtë do të përballen në grup gjatë muajit qershor.
ITALIA Një mbrojtje me katër apo me tre, kjo është dilema e Spaletit që me shumë mundësi do të zgjedhë një 3-4-2-1. Në portë Donaruma i PSG-së, me treshen e mbrojtjes që rreshtohet: Di Lorenco (Napoli), Buonxhorno (Torino), Bastoni (Inter). Në mesfushë janë: Nga e djathta Darmian (Inter), në qendër Barela (Inter) dhe Zhorzhinjo (Arsenal) dhe në të majtë Di Marko (Inter). Përpara tyre Kieza (Juventus), Pelegrini (Roma) dhe Retegui (Xhenoa). Sigurisht që alternativat nuk mungojnë duke përmendur lojtarë si: Skalvini, Mançini, Kambiaso, Kristante, Lokateli, Fratezi, e përpara Politano, Zakanji, El Sharaui, Raspadori, Imobile dhe Skamaka. Një mungesë është Domeniko Berardi. Italia e Spaletit fitoi dy miqësoret me Venezuelën dhe Ekuadorin.
SPANJA Kombëtarja spanjolle barazoi me Brazilin dhe humbi me Kolumbinë. Patjetër shumë alternativa, ekipi i De La Fuentes mund të luajë me një modul 4-3-3. Në portë: Simon (A.Bilbao). Në mbrojtje: Karvajal (R.Mardid), Le Normand (R.Sociedad), Laporte (Al-Nasr), Grimaldo (B.Leverkusen). Përpara tyre janë: Rodri (Man.Siti) dhe Fabian Ruis (PSG), në krah: Jamal (Barcelona) dhe Uilliams (A.Bilbao). Dani Olmo (Lajpcig) si numër 10 dhe Alvaro Morata (A.Madrid). Konkurrenca është e lartë, pasi Raja i Arsenalit mund të jetë numri një në portë e padyshim futbollistë si: Kukurela, Vivian, Navas, Gaja, Lorente, Merino, Zubimendi dhe Moreno, Xhoselu e Pedri.
KROACIA Barazim me Tunizinë dhe fitore me Egjiptin. Ky ishte bilanci i Kroacisë në miqësore. Por si mund të luajnë rivalët tonë në Europian. Në portë: Livakoviç (Fenerbahçe). Në mbrojtje: Juranoviç (U.Berlin), Sutalo (Ajaks), Gvardiol (Man.Siti) dhe nga e majta Soza (Ajaks). Mefusha do të përbëhet nga: Kovaçiç (Man.Siti), Brozoviç (Al-Nasr), Modriç (R.Madrid). Treshja përpara: Pasaliç (Atalanta), Petkoviç (D.Zagreb) dhe Kramariç (Hofenhaim). Ndërkohë emra të rëndësishëm janë edhe: Vida, Vlasiç, Budimir, Pjaca dhe Majer.
SHQIPËRIA Kuqezinjtë i humbën të dyja sfidat, me Kilin dhe Suedinë, teksa në Europian, skuadra e Silvinjos mund të paraqitet kështu me titullarët. Në portë: Strakosha. Në mbrojtje: Hysaj (Lacio), Ismajli (Empoli), Gjimshiti (Atalanta) dhe Mitaj (L.Moskës). Në mesfushë: Asllani (Inter), Ramadani (Leçe), Bajrami (Sasuolo). Në krah: Asani (Guangju) dhe Seferi (Bani Jas) e në qendër të sulmit Broja (Fullhem). Patjetër që vend mund të zenë edhe Uzuni, Balliu, Cikalleshi, Manaj, Muçi, Laçi, Bare apo Berisha në portë.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL