Dymbëdhjetë gola dhe 8 asiste për Milanin, teksa me Shtetet e Bashkuara sapo ka fituar Kupën e Kombeve Amerikane. Pas suksesit në atdhe, Kristian Pulisiç ka dhënë një intervistë për rrjetin “CBS” lidhur me momentin që po kalon, teksa që nga e marta mbrëma ka qenë në Milano së bashku me Junus Musahun. Dy amerikanët, dje u stërvitën me grupin në kuadër të ndeshjes të së shtunës kundër Fiorentinës.
Si jeni, cilat janë ndjesitë tuaja pas kësaj fitoreje?
Po kaloj një moment shumë të veçantë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Çfarë mund të them? Të fitosh një trofe me kombëtaren është diçka e pabesueshme. Tani jeni titullar te Milani, luani, shënoni, jepni asiste…
Në çfarë momenti të karrierën jeni?
E dua jetën në Milano, është e pabesueshme. Kam gjetur sërish besim, mendoj se mund ta shihni nga mënyra se si luaj. Është fantastike atje, por edhe të kthehesh këtu (në SHBA), të fitosh një tjetër trofe… Më pëlqen shumë të rikthehem në kombëtare me këtë grup lojtarësh.
Cilat janë dallimet midis të luajturit në të djathtë dhe në të majtë?
Nuk e kisha menduar kurrë se do të ndihesha kaq rehat në të djathtë nëse duhet të jem i sinqertë. Por unë ende preferoj të luaj në të majtë për shkak se mund të synoj qendrën e të godasë me të djathtën.
Sa ka ndikuar Pioli dhe Seria A në rritjen tuaj?
Më duhet të pranoj se kam mësuar shumë, mënyra ime e lojës ka ndryshuar shumë dhe kam gjetur mënyra për të hyrë në zonë dhe për të shënuar edhe duke filluar nga e djathta. Mendoj se kam shumë cilësi dhe mund të bëj mirë në të dyja fushat e fushës, megjithatë trajneri ka gjithmonë diçka të re për të më mësuar.
Çfarë ndjesish keni për Kupën e Amerikës në verë pas kësaj fitoreje?
Kemi ndjesi të shkëlqyera. Është gjithmonë bukur të rikthehesh në kombëtare me djemtë, do të jetë një tjetër trofe që do tentojmë të fitojmë. Është e gjitha pjesë e një udhëtimi, vite emocionuese na presin në Shtetet e Bashkuara mes Kupës së Amerikës dhe Kupës së Botës jo aq të largët. Jemi të lumtur që i kemi këto mundësi dhe duhet t’i tregojmë të gjithëve se ky është vetëm fillimi.
Po me Milanin, cili është objektivi?
Kemi disa ndeshje kampionati dhe do të luajmë kundër Romës në çerekfinalet e Ligës së Europës, një turne që Milani nuk e ka fituar kurrë. Nëse mbërrijmë në gjysmëfinale mund të ndodhë gjithçka ndaj duhet të besojmë.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL