Sot, do të përcaktohen skuadrat finaliste të turneut “Final 8” të Ligës Unike në basketboll që po mbahet në qytetin e Vlorës. Në program, sot janë dy ndeshjet gjysmëfinale, në të cilat do të përballen katër skuadrat nga Superliga e Kosovës: Trepça, Golden Eagle Ylli, Peja dhe Sigal Prishtina.
Skuadra kosovare në çerekfinale eliminuan ato nga Shqipëria dhe tani trofeu i Ligës Unike do të mbetet sërish në Kosovë, pasi më herët është fituar nga Ylli dhe Peja.
Gjysmëfinalja e parë, do të jetë ajo ndërmjet Yllit dhe Pejës, ndërsa nis në orën 16:00. Ndërkohë, në gjysmëfinalen e dytë që luhet prej orës 19:00 do të përballen Trepça dhe Sigal Prishtina.
Finalja e Ligës Unike është të dielën prej orës 19:00, por para këtij dueli do të zhvillohet ndeshja për vendin e tretë ku do të përballen dy skuadrat që pësuan humbje në gjysmëfinale.
Turneu “Final 8” i Ligës Unike ka nisur të mërkurën.