Duket se kjo verë do të jetë mjaft e nxehtë në merkaton e trajnerëve, pasi janë disa skuadra “big” në Europë që u duhet të gjejnë drejtues të rinj.
Pas Bayern Mynih, Barcelona e Liverpool, një tjetër klub legjendar në Europë që do të ndërrojë trajner është Ajax.
Trajneri aktual i Ajax, John Van’t Schip, nuk do të vijojë detyrën pasi të përfundojë ky sezon.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi holandez ka konfirmuar largimin e 60-vjeçarit. “Do të doja të vazhdoja të jap kontributin tim, por me një rol tjetër. Në fund të sezonit do të ndaloj stërvitjen“, tha Schip.
“Për momentin nuk dua të flas për rolin që mund të luaj. Dua të përqendrohem në tetë ndeshjet e fundit të sezonit me Ajax dhe më pas do të mendoj për të ardhmen time te ky klub”, tha trajneri holandez në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër PEC Zwolle në kampionat.
Van’t Schip mbërriti në Amsterdam pas shkarkimit të Maurice Steijn, i cili pati një fillim të keq të sezonit. Ai e përmbysi situatën katastrofike dhe aktualisht ekipi ndodhet në vendin e pestë në renditjen e Eredivisie.
Për emrin e ri në këtë detyrë, drejtori i përgjithshëm i Ajax, Alex Kroes, ka tashmë një listë me 4 kandidatë.