Golden Eagle Ylli dhe Trepça, do të përballen në finalen e Ligës Unike, që zhvillohet sot prej orës 19:00 në Vlorë.
Dy skuadrat kosovare me sukses kanë arritur deri në finale, pasi kanë eliminuar kundërshtarët në çerekfinale dhe gjysmëfinale. Ylli për të prekur finalen ka mposhtur thellë Tiranën dhe Pejën, ndërsa Trepça ishte më e mirë se Kamza Basketin dhe Sigal Prishtinën.
Për Yllin, kjo është finalja e tretë rresht në Ligën Unike, garë të cilën e ka fituar në edicionin e saj të parë. Ndërkohë, Trepça po luan për herë të parë në finalen e Ligës Unike. Këtë edicion, Trepça është ekipi më i suksesshëm në basketbollin kosovar pasi ka fituar Superkupën edhe Kupën e Kosovës.
Ndërkohë, vendin e tretë në Ligën Unike e ka zënë kampionia në fuqi, Peja. Peja e fitoi këtë ndeshje në tavolinë pasi Sigal Prishtina nuk qëndroi në Vlorë për të luajtur. Në arsyetimin e Prishtinës thuhej se këtë veprim e kanë bërë për t’i kursyer lojtarët nga lëndimet duke pasur parasysh orarin e ngjeshur që i pret në fund të këtij edicioni.