Një garë sikur asnjëherë më parë po zhvillohet sivjet për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës.
Pavarësisht se muaj më parë Ballkani dukej si triumfues i padiskutueshëm, gjërat kanë ndryshuar.
Pas fitores ndaj Lirisë, Llapi kryeson tabelën e Superligës me 54 pikë, një më shumë se Ballkani që ka 53. Kurse, skuadra e Dritës gjendet në vendin e tretë me 51 pikë.
Edhe pse dy herë fitues i kupës, trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës, i mungon titulli i Superligës. Ky vit, duket se mund të jetë në duart e tij.
Kjo pasi Llapi në ndeshjet e fundit të Superligës, i pret në Podujevë edhe Dritën edhe Ballkanin. Një mundësi kjo që të distancohet edhe më shumë në krye të tabelës.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Batatina me skuadrën e tij do ta shkruajnë historinë, apo Ballkani do ta vazhdojë dominimin. Aty po përfshihet edhe Drita, megjithatë e cila me barazimin ndaj Malishevës, nuk arriti ta shfrytëzojë gabimin e Ballkanit.