Nejmar do të largohet nga Al-Hilal. Ky është premtimi që futbollisti duket se ka bërë së fundi për të ardhmen e tij, pas përmbushjes së marrëdhënies kontraktuale me skuadrën e Pro Ligës Saudite.
Braziliani u kthye në “Vila Belmiro” për të parë Santosin në finalen e kampionatit Paulista kundër Palmeiras. Një vizitë e shpejtë, ku futbollisti ka shfrytëzuar rastin për t’u parë me fansat që e mbështetën teksa hidhte hapat e parë si lojtar profesionist.
Nejmar duket se i ka shumë të qarta gjërat. Para fillimit të ndeshjes, ai zbriti në dhomat e zhveshjes për të mbajtur një fjalim para të gjithë lojtarëve të skuadrës së Santosit. Pikërisht në atë moment, futbollisti ka zbuluar synimet e tij. Pasi ka përshëndetur të gjithë lojtarët një nga një, Nejmar ka treguar qëllimet e tij në këtë vizitë të shpejtë për të mos humbur përqendrimin te ndeshja finale.
Ai dëshiron të luajë sërish te Santosi. Një premtim i yllit Brazilian, i cili tha se do të rikthehet në vitin 2025 për të luajtur në kampionatin brazilian me skuadrën bardhezi. Informacion që duket se ka bërë shumë bujë në vend, por që vetë futbollisti nuk ka dashur as ta mohojë dhe as ta konfirmojë gjatë daljes nga stadiumi. Lojtari nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
PANORAMASPORT.AL