Mesfushori i Prishtinës, Drilon Islami është shpallur futbollisti më i mirë për xhiron e 27-t të Superligës që përfundoi të dielën e shkuar.
Islami, të martën është nderuar me çmimin “Ylli i Javës” për paraqitje të mirë, ka njoftuar FFK-ja. Vlerësimin e më të mirit e ka bërë një komision i veteranëve të futbollit, sipas të cilit, Islami ishte më i dalluari në fushë kundër Ballkanit. Po ashtu, komisioni ka konstatuar se mesfushori defensiv ishte më i angazhuari në fushë, duke ndërprerë aksionet e kundërshtarit dhe pika e fituar e Prishtinës ndaj Ballkanit ishte meritë e organizimit të lojës nga Islami.
Prishtina në kuadër të xhiros së 27-të, luajti pa gola kundër kampionit në fuqi. Pas pranimit të çmimit, Islami është shprehur i lumtur por ka shtuar se meritat për këtë i kanë edhe bashkëlojtarët e tij e stafi i Prishtinës.
“Ky çmim është një motiv shtesë që nga ndeshja në ndeshje të arkëtojmë pikët maksimale për ta arritur synimin tonë – daljen në Evropë”, ka thënë ndër të tjera Islami për faqen zyrtare të FFK-së.
Aktualisht, Prishtina është e pesta në tabelë me 39 pikë kurse në garat e Kupës së Kosovës ka arritur deri në gjysmëfinale.