Sulmuesi Mirlind Daku mund të largohet së shpejti nga Rubin Kazani, ka shkruar sajti rus “Business-Online”, të mërkurën.
Sipas burimeve të këtij mediumi, njëri prej klubeve nga Moska ka kontaktuar Rubinin në afatin kalimtar të dimrit dhe ishte i gatshëm të paguaj 7 milionë euro për Dakun. Por Rubin Kazani, që po ashtu luan në elitën ruse, refuzoi ofertën.
Mediume të ndryshme në Rusi kanë shkruar ndërkohë që klubi i interesuar për kosovarin është Spartaku i Moskës.
Daku 26-vjeçar, u transferua te Rubin Kazani në verën e vitit të kaluar nga Osijeku kroat për 1 milion euro. Sulmuesi kosovar ka pesë gola e dy asistime në 19 paraqitje në kampionatin e Rusisë.
Në fundjavë, në fitoren 2:1 të Rubin Kazanit ndaj Akhmat Groznyt, Daku kishte një gol e një asistim. Por trajneri Rashid Rakhimov nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e tij.
Ai u pyet pas ndeshjes nëse paraqitja e Dakut ishte e suksesshme, marrë për bazë që shënoi gol dhe asistoi.
“Jo. I thash që kjo nonshalancë e caktuar është e papranueshme. Duhet t’i trajtojmë rastet më me kujdes, pasi ato krijohen nga i gjithë ekipi dhe sulmuesi duhet t’i realizojë. Edhe goli e asistimi nuk mjaftojnë. Kishte edhe shumë raste të tjera”, ka thënë Rakhimov për Match TV, pas ndeshjes me Akhmatin.