Ndër mundësitë e ndryshme të marra në konsideratë nga Bayern Munich për pasuesin e Thomas Tuchel është edhe Julian Nagelsmann.
Ky do të ishte një rikthim, duke qenë se ish-lojtari i Hoffenheim dhe Leipzig i drejtoi bavarezët nga viti 2021 deri më 2023, përpara se të shkarkohej, pak më shumë se një vit më parë, për shkak të disa dallimeve me drejtuesit e lartë të klubit.
Nagelsmann, megjithatë aktualisht është trajner i Gjermanisë, po luan mjaft mirë me kombëtaren dhe vlerësohet shumë nga federata. Trajnerit të lindur më 1987 do t’i skadojë kontrata pas Europianit 2024, por DFB-ja duket se nuk është e gatshme ta lërë të lirë atë.
Përkundrazi, është gati t’ia zgjasë kontratën. Ky qëllim u konfirmua nga zv.presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Hans-Joachim Watzke: “DFB duhet të përpiqet të zgjasë kontratën e Nagelsmann.
Nëse do ta kontraktonim atë për një periudhë më të gjatë, do të ishte mirë për gjermanët.
Po flasim për një trajner që ka qenë i suksesshëm në të gjitha klubet, ku ka drejtuar, Hoffenheim, Leipzig dhe Bayern Munich. Të bësh mirë në tri klube të ndryshme është padyshim një kartë e shkëlqyer”.