Në fund të fitores së qartë të Holandës së tij kundër Skocisë më 22 mars, trajneri i “Tulipanëve”, Ronald Kuman, u shpreh i pakënaqur me paraqitjen e të gjithëve, përveç një lojtari, Tizhani Reijnders, për të cilin tha: “Tizhani është bërë një lojtar i madh në një kohë shumë të shkurtër. Ai nuk mund të lihet jashtë kombëtares”.
Merita e madhe për këtë përmirësim duhet t’i jepet padyshim punës së përpiktë të kryer nga Stefano Pioli, gjithmonë i zoti me lojtarët, por duhet thënë se kur merresh me tipa të tillë është gjithmonë më e thjeshtë. Reijnders është në fakt një lojtar total dhe njëkohësisht pikëmbështetja e lojës së “Djallit” dhe ky fakt konfirmon më qartë këtë tezë.
Në fakt sipas të dhënave që ofron “Kickest”, shumica e manovrave sulmuese të kuqezinjve nisin nga këmbët e mesfushorit, i cili është lojtari me përqindjen më të lartë të pasimeve të suksesshme te Milani. Reijnders kryeson këtë renditje të veçantë me 91.7%, shifra që vetëm mund të bindin Piolin dhe stafin për të vazhduar punën dhe fokusimin tek ai.
SASI – Edhe në transfertën e komplikuar në Firence, Tizhani Reijnders arriti të dilte në pah duke i dhënë asist Rafael Leaos për golin që i dha mundësinë Milanit të rikthehej në rrugët e fitores kundër Fiorentinës pas gati 3 vitesh. Sa më shumë që kalojnë muajt, aq më shumë holandezi dëshmon se i përmbush pritshmëritë, edhe sepse shifrat e regjistruara deri më tani këtë sezon vetëm mund t’i japin të drejtën drejtuesve që e veshën kuqezi.
Sipas të dhënave që ofron portali “kickest”, në fakt, Reijnders te Milani është lojtari i tretë për pasime të suksesshme, pas Teo Hernandezit i pari dhe Fikajo Tomori i dyti, por duke pasur parasysh zonën e fushës në të cilën është numri 14 luan, 1173 pasimet e suksesshme marrin vlerë të ndryshme nga ato të shokëve të tij. Kujtojmë se me 3121 minuta në 40 prezenca, 25- vjeçari është gjithashtu ndër kuqezinjtë me më shumë minutazh sezonal.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL