Fundori i Golden Eagle Yllit, Alonso Verge Jr. është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së fundit të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll.
Verge është nderuar me epitetin “MVP i Xhiros”, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të premten.
Verge shkëlqeu në duelin e xhiros së 28-t të luajtur të enjten mbrëma kundër Trepçës, të cilën Ylli e mposhti me shifrat 81:79.
Verge në këtë përballje realizoi 35 pikë, 7 kërcime e 2 asistime për t’i dhënë fund serisë së Trepçës prej 20-të fitoreve rresht në kampionat.
Verge, po ashtu, ka zënë vend edhe në pesëshen më të mirë të kësaj xhiroje.
Krahas tij, në pesëshe janë përfshirë edhe Arian Azemi i Istogut, Diamond Stone i Prishtinës, Jimmy Hall i Pejës dhe Jahenns Manigat i Vëllaznimit.