Granit Xhaka shijoi titullin në Bundesliga me Bayer Leverkusen. Një titull ku ai pati një rol prej protagonisti duke qenë një prej lojtarëve më të besuar për trajnerin Xabi Alonso.
Mesfushori me origjinë shqiptare, theksoi se trofetë janë ëndrra e të gjithë lojtarëve kur nisin karrierën ndërsa shtoi se skuadra e tij nuk duhet të kënaqet me kaq, por të synojë edhe Kupën si dhe Europa League.
“Është pak e vështirë të gjesh fjalët e duhura kur përjeton një emocion kaq të madh. U riktheva pas shumë kohësh në Bundesliga dhe ta festoj me titull është e jashtëzakonshme. Kemi zhvilluar një sezon të madh.
Kur nis karrierën, ëndërron pikërisht për momente të tilla. Ishte një punë e vështirë dhe e përditshme, por ia dolëm të gjithë së bashku. Për mua ky titull është diçka shumë speciale në të gjitha këto 14 vite të karrierë, po ashtu është një titull shumë special edhe për klubin. Tani duam më shumë dhe të marrim të tjerë trofe”, u shpreh Xhaka.