Luka Modric raportohet se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen, pavarësisht faktit se kontrata e tij me Real Madridin skadon në verë, më 30 qershor.
Mesfushori veteran është “detyruar” të pranojë një rol të reduktuar këtë sezon, pasi nuk konsiderohet më si titullar i rregullt në skuadrën e Carlo Ancelotti.
Sipas gazetarit, Matteo Moretto, Modric nuk ka vendosur ende përfundimisht për të ardhmen, pasi atij i është ofruar nga klubi spanjoll edhe shansi të jetë pjesë e stafit të trajnerëve për sezonin e ardhshëm.
“Luka Modric nuk ka marrë ende një vendim 100%. Ka mundësi e ardhmja të jetë jashtë Evropës për Modricin. Ka pasur edhe ‘thirrje’ nga Dinamo Zagreb, por ai do të ketë mundësinë të largohet nga Evropa”, tha Moretto për “FootballEspana”.
“Siç e dimë, Carlo Ancelotti pyeti nëse do të ishte i interesuar të bashkohej me stafin e tij në janar. Modric është duke konsideruar rolin që mund të ketë sezonin e ardhshëm me Real Madridin. Tani për tani ai nuk po luan shumë, ai nuk e ka rolin që kishte më parë dhe po shqyrton se si mund të ndryshojë edhe kjo. Ai do ta mendojë këtë”, shtoi ai.
Dinamo Zagrebi nuk e ka fshehur dëshirën për të 38-vjeçari dhe së fundmi publikoi ‘një reklamë të plotë’ në një gazetë spanjolle, si një përpjekje për ta bindur atë të kthehet në vendlindje.
Reprezentuesi kroat me sa duket nuk ka në plan të pensionohet, kështu që qëndrimi në Real Madrid mund të mos jetë një opsion, por ka mundësi të ketë sërish interesim të madh nga Arabia Saudite për mesfushorin, siç ishte rasti verën e kaluar.