Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, Kategoria e parë, ka vijuar rrugëtimin e “play-off”-it të titullit, teksa të hënën në Shkodër dhe të martën në kryeqytet janë luajtur takimet e dyta të gjysmëfinaleve. Kështu, pasi e ka fituar duelin e parë në shtëpi ndaj Vllaznisë, Flamurtari ka vijuar të fitojë, me shifrat 58-40, në takimin e zhvilluar të hënën në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, dhe ia ka dalë ta mbyllë në dy ndeshje çështjen e kalimit në finale.
Ndërkaq, në duelin tjetër, Tirana e pati humbur me vetëm dy pikë ndeshjen e parë në shtëpi përballë Partizanit, por ka vijuar të fitojë në njëjtën mënyrë në ndeshjen e kthimit të luajtur të martën në mbrëmje. Në takimin e zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 3, dhe pamje të të cilit na sjell kjo kronikë, ishte Tirana që e ka nisur më mirë.
Ekipi i trajneres Mirza Alibegaj e ka fituar si 10-minutëshin e parë, ashtu edhe 10-minutëshin e dytë, me vetëm një pikë epërsi, përkatësisht 18-17 dhe 13-12, duke shkuar kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave në kryesim 31-29. Por Partizani ka dalë një tjetër skuadër nga dhomat e zhveshjeve, duke e kufizuar Tiranën në vetëm 10 pikë të shënuara në 10-minutëshin e 3-të, përkundër 18 pikëve të realizuara nga të kuqet e kryeqytetit, duke bërë skuadra e trajneres Erta Bujari të kryesojë pas një gjysmë ore loje me shifrat 47-41.
Sidoqoftë, Tirana nuk është dorëzuar, pasi ka luftuar fort në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, duke e fituar atë me 9 pikë epërsi, 20-11 dhe duke përmbysur kështu gjithçka, teksa e ka fituar gjithë ndeshjen 61-58. Kështu, ndryshe nga i pari, ky duel i dytë i gjysmëfinaleve të “play-off”-it të titullit në Superligën e basketbollit të femra do të kërkojë takimin e 3-të, që do të luhet të premten në mbrëmje.