Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani është në procedurë disiplinore për lëshim në organizimin e ndeshjes kundër Dritës, që u zhvillua vikendin e shkuar në Suharekë.
Komisioni Disiplinore dhe Etikës – Shkalla e parë ka bërë të ditur se ka hapur procedurë disiplinore ndaj Ballkanit, pasi tifozët vendas në tri raste në fund të ndeshjes ndaj Dritës kanë hedhur mjete piroteknike tymuese në fushën e lojës.
E në procedurë disiplinore është edhe video-analisti i Ballkanit, Ardi Kabashi dhe zyrtari Idriz Hajdari, të cilët pas përfundimit të ndeshjes thuhet se në tunelin e lokaleve zyrtare kanë fyer dhe ofenduar trajnerin e Dritës, Zekirija Ramadani. Kështu që, si prej Kabashit ashtu edhe prej Hajdarit është kërkuar deklaratë shtesë në afat kohor deri të premten në orën 13:00.
Edhe trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani është në procedurë disiplinore për shkak se ka fyer dhe ofenduar video-analistin e Ballkanit, Ardi Kabashi në tunelin e lokaleve zyrtare pas përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, trajneri i portierëve të Ballkanit, Labinot Qosa është dënuar me mos-ushtrim të detyrës për dy ndeshje zyrtare për shkak të ndëshkimit me karton të kuq si pasojë e fyerjes ndaj gjyqtarëve. Dueli mes Ballkanit dhe Dritës ishte derbi i xhiros së 30-të në Superligë dhe përfundoi me rezultatin 2:2.
Pas ndeshjes, zyrtarët e Dritës janë ankuar se ishin sulmuar në tunel nga ata të Ballkanit, të cilët kanë mohuar kategorikisht një gjë të tillë.