Të gjithë flasin për Vinicius Zhunior pas barazimit të Realit në Mynih në ndeshjen e vajtjes gjysmëfinale në Champions. E natyrshme po të llogaritësh që braziliani shënoi dy golat e “los blancos”. Por mos harroni se magjistari i Realit është një tjetër, Toni Kros. Mjafton të shohësh pasimin e tij në golin e parë të Vinicius dhe mund të mësosh se çfarë është futbolli. Realit të Madridit iu deshën vetëm 24 minuta për të rënë dakord me trajnerin e Bajernit, Tomas Tuhel.
Trajneri i bavarezëve deklaroi këtë javë se virtyti i madh i Realit të Madridit është aftësia për të goditur kundërshtarin pa qenë në gjendje të përgatiten për goditjen. “Nëse i shikon golat e Realit dhe i kthen 10 sekonda, nuk i sheh ata që vijnë”, shpjegoi trajneri. E thënë më shpejt se e bërë. Për 24 minuta Reali ishte “jashtë loje”, i shtypur nga Bajerni, por në të vetmen hapësirë të krijuar ata goditën. Përgjumja e Realit zgjati derisa llamba e Toni Krosit u ndez. Një zotërim i topit në dukje i parëndësishëm përfundoi me një pasim magjik nga gjermani drejt Viniciusit, duke e nxjerrë këtë të fundit vetëm me Noierin. më pas për Vinin ishte lojë fëmijësh për të shënuar. “Të duket se e ke gjithçka nën kontroll, të duket se Reali është inferior, por kalojnë pesë sekonda, një pasim dhe e gjeni veten në telashe”, tha Tuhel para ndeshjes.
Kështu ndodhi. Por pasimi magjik i Toni Krosit ishte vetëm një nga leksionet e gjermanit në takimin e djeshëm, nga ato leksioni që çdo i ri duhet t’i mësojë nëse kërkon të kuptojë se çfarë është futbolli. Veçanërisht nëse i referohemi pjesës së parë. 48 pasime të sakta nga 49 gjithsej, një saktësi e pabesueshme 98%, katër duele të fituara dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, qetësia që të jep përvoja kur shokët janë duke vuajtur presionin e kundërshtarit. Ky ishte Toni Kros në mbrëmjen e Mynihut.
PANORAMASPORT.AL