Golden Eagle Ylli dhe Peja kanë synime të ndryshme në duelin që e zhvillojnë sonte prej orës 19:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Kjo është përballja e katërt e serisë gjysmëfinale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll, në të cilën Ylli po avancon me rezultatin e përgjithshëm 2:1 pas tri ndeshjeve të luajtura.
Skuadra që regjistron tri fitore në këtë seri avancon në finale dhe Ylli po synon ta shfrytëzoj përparësinë e terrenit vendas për të eliminuar kampionen në fuqi, Pejën në gjysmëfinale.
Në rast të triumfit të Pejës, atëherë seria do të barazohej dhe gjithçka do të vendosej në fundjavë në palestrën “Karagaçi” pasi kampionia në fuqi do ta rikthente përparësinë e terrenit vendas. Në fakt, Peja e kishte përparësinë e terrenit vendas por Ylli ia rrëmbeu pas fitores në ndeshjen e parë që e arriti në palestrën “Karagaçi”. Ylli e fitoi edhe ndeshjen e dytë në Suharekë, përpara se Peja ta mposht vikendin e shkuar në Gjakovë, ku luajti si cilësinë e ekipit vendas.
Në pesë duelet e fundit, përfshirë edhe Ligën Unike, skuadra e Yllit ka bilanc më të mirë përball Pejës, të cilën e ka mposhtur katër herë.
Peja në gjysmëfinale u kualifikua direkt pasi stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë, ndërsa Ylli luajti në çerekfinale, seri në të cilën e eliminoi Bashkimin me rezultatin e përgjithshëm 2:0.
Ylli në ndeshjen e katërt, që është vendimtare për plasman në finale, nuk do ta ketë përkrahjen e tifogrupit “Xhebrailat”. Këta të fundit me anë të një komunikate kanë bërë të ditur se kanë marrë vendim që mos të jenë të pranishëm në tribuna deri në një vendim tjetër.
Arsyeja e mosparaqitjes së “Xhebrailave” është incidenti që ndodhi në ndeshjen e dytë mes Yllit dhe Pejës të luajtur në Suharekë, e cila u ndërpre për disa minuta shkaku i hedhjes së gjësendeve në parket.
Ylli për këtë mori një dënim prej 3100 eurosh, ndërsa “Xhebrailat” kanë bërë të ditur se largimi i tyre nga palestra për shkak të hedhjes së gjesëndeve u ka shkaktuar probleme serioze si tifogrup, përfshirë këtu telashet me organet e rendit dhe drejtuesit e klubit nga Suhareka.
Në gjysmëfinalen tjetër, Trepça ka eliminuar Sigal Prishtinën me rezultatin e përgjithshëm 3:0 dhe është në pritje të kundërshtarit të serisë finale.