Real Madrid është në kontroll të plotë në renditjen e La Liga dhe tashmë është vetëm çështje kohe titulli kampion i radhës për skuadrën e drejtuar nga Karlo Ançeloti. Reali pret Kadiz në këtë fundjavë dhe nëse fiton e Barça nuk arrin suksesin me Zhironën në të njëjtën ditë, “los blancos:” mund të hapin shishet e shampanjës.
Padyshim tifozët e skuadrës madrilene do të mblidhen menjëherë në shatërvanin e famshëm “Cibeles” ku festohen zakonisht triumfet e kësaj skuadre. Por ndryshe do të jetë për skuadrën, e cila nuk do të marrë pjesë në festime, pasi kërkon që të jetë e fokusuar plotësisht në një ndeshje të vetme.
Reali luan të mërkurën ndaj Bajern Mynih në “Santiago Bernabeu” dhe për klubin është e qartë që lojtarët nuk duhet të kenë asnjë lloj shpërqendrimi, sado pozitiv të jetë ai. “Do të kemi kohë të mjaftueshme për të festuar”, është versioni që del nga klubi rreth kësaj çështje, duke qenë i qartë se prioriteti është vetëm dueli i kthimit të Ligës së Kampioneve.
Ndonëse titulli i 36 do të jetë një gëzim i madh për tifozët, te Reali e dinë që Liga e Kampioneve është aktiviteti i tyre ndaj një sukses për herë të 15-të në këtë turne, do të ishte ai që do të bënte një festë në “Cibeles” të paharrueshme.
PANORAMASPORT.AL