Me Superkupën e Spanjës të fituar në Riad më herët gjatë këtij viti, Karlo Ançeloti barazoi Zinedin Zidanin me njëmbëdhjetë trofe si trajner i Realit të Madridit.
Përpara tyre qëndron vetëm legjenda Migel Munjoz me 14 trofe të fituar si teknik i “Los blancos”. Megjithatë, trajneri italian e ka Ligën praktikisht në xhep, kështu që do të kalonte Zinedin Zidanin, për t’u bërë trajneri i dytë me më shumë trofe te Reali, vetëm dy trofe më pak se Munjoz. Zinedin Zidan nga ana e tij fitoi gjithçka mund të fitohej me Realin dhe mbetet trajneri i vetëm në histori që ka ngritur tre Liga të Kampionëve radhazi.
Por trajneri aktual i Realit, Karlo Ançeloti nuk qëndron shumë prapa për sa i përket arritjeve me klubin e bardhë. Me Ligën që është aty pas dere, Ançelotit do t’i bëhen 12 trofe dhe nëse ai mund të ngrejë sërish Ligën e Kampioneve (është ende në garë), ai do të ishte vetëm një pas trajnerit më të suksesshëm në historinë e klubit të bardhë, Migel Munjoz. Karleto gjithashtu do të barazonte Zidanin me dy tituj në La Liga dhe nëse do të fitonte Ligën e Kampioneve, gjithashtu do t’i çonte në tri ato të fituara me Realin e Madridit, që në bilancin e tij të përgjithshëm do të ishte e pesta: dy me Milanin (2002 dhe 2007) plus dy me Realin (2014 dhe 2022)).
Në fakt, ai tashmë është trajneri i vetëm në botë me katër Champions League, krahasuar me tri të Zizusë, Guardiolës dhe Paislejt (Liverpul). Karlo Ançeloti do të ishte, nga ana tjetër, trajneri i parë në historinë e klubit që nënshkruan dy dopieta (Liga dhe Champions) nëse arrin të ngrejë Champions League këtë sezon, pas atij të nënshkruar dy sezone më parë me titullin në La Liga dhe Ligën e Kampioneve në Paris kundër Liverpulit. Madridi nuk ka ndonjë histori të gjatë sa i përket dopietave. I pari që e arriti këtë ishte Hose Vijalonga në sezonin 1956-1957.
Një vit më vonë do ta arrinte Luis Karnilia. Zidan e arriti një gjë të tillë me formatin aktual në Champions në sezonin 2016-2017 dhe Ançeloti arriti të fundit në sezonin 2021-2022. Ançeloti që po përgatitet të parakalojë Zinedin Zidanin ka si objektiv ka Migel Munjozin. Dhjetorin e kaluar, trajneri rinovoi kontratën me Realin deri në vitin 2026, ndaj edhe sfida për sezonin e ardhshëm është shumë e veçantë për të duke qenë se do të ketë një sfidë të madhe, të kapë Migel Munjozin dhe pse jo, të bëhet trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit të bardhë.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL