Në prag të ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Champions League ndaj Real Madrid-it, trajneri i Bayern Munich ka folur në veçanti për sulmuesin kryesor të skuadrës së tij, Harry Kane.
Tekniku gjerman zbuloi për mediet një “ilaç magjik”, që është kapuçino, që anglezi e konsumon çdo ditë dhe në sasi të madhe.
“Sasia e kapuçinove që ai pi në ditë është e pabesueshme, vërtet befasuese. Sa herë që shkoj në kuzhinë ai është para aparatit të kafesë duke pirë një kapuçino. Me sa duket është mirë, i shëndetshëm dhe në formë të mirë. Kështu që fillova ta bëj edhe unë“-deklaroi Tuchel.
Përveç “ilaçit magjik”, Tuchel zbuloi edhe ndikimin që ka pasur Kane në dhomën e zhveshjes së Bayern Munich.
“Ai ishte kapiten i Tottenham-it dhe ai është kapiten i Anglisë, na dha gjithçka që prisnim. E dija që po sillnim një personalitet të madh në dhomat e zhveshjes, përveç asaj që ai shton për sa i përket golave, asistimeve dhe lëvizjeve, ai di në mënyrë të përkryer se si të përballojë presionin”-tha ndër të tjera trajneri i bavarezëve.
Harry Kane është golashënuesi më i mirë i këtij sezoni të Champions League me 8 gola (së bashku me Kylian Mbappe) dhe sulmuesi më i mirë në Europë, duke kryesuar renditjen e Këpucës së Artë falë 36 golave të shënuar në 32 ndeshje të Bundesliga-s.