Kur Ançeloti vendosi ta hedhë në fushë me 9 minuta të mbetura, futja e Hoselut u pa si një lëvizje e dëshpëruar për të kthyer një ndeshje që dukej se po i shkonte për shtat Bajernit të Mynihut. Por aq pak minuta i kanë mjaftuar sulmuesit 34- vjeçar i ardhur në verë në formë huazimi nga Espanjoli i rënë nga kategoria për të shënuar emrin e tij në librat e historisë së klubit të bardhë. Dy gola në 3 minuta që i kanë siguruar finalen e 18-të në Ligën e Kampioneve rekordmenëve të këtij trofeu.
Njeriu i marrë për të zëvendësuar Karim Benzemanë ka bërë të paktën për një natë maji të harrohet kapiteni të 14-ës i Realit. Edhe vetë sulmuesi i Realit të Madridit e ka quajtur të pabesueshme atë çfarë ndodhi në ato tri minuta të çmendura që e nxorën Realin nga ferri dhe e ka dërguar në Londër. “Nuk e di se çfarë të them, është një ndjesi që nuk mund të përsh- kruhet thjesht me fjalë. Është si një ëndërr, e pabesueshme”, ka thënë fillimisht Hoselu. Spanjolli më pas ka marrë frymë thellë si për të kthjelluar mendimet duke i bërë një analizë asaj çfarë ndodhi në ato minuta të çmendura. “Unë gjithnjë jam gati të jap kontributin tim. Gjithnjë e kam bërë, sa herë që trajneri ka vendosur të besojë tek unë.
Jam i bindur se në fund e kemi merituar plotësisht fitoren. E kemi dominuar takimin, por ishte e thënë që gjithçka të vendosej në fund. Natyrisht që jam shumë i lumtur për veten dhe për të gjithë shokët e ekipit. Nuk arrij ende ta kuptoj se çfarë kam bërë”, tha ai.
PANORAMASPORT.AL