Pas barazimit në Marsejë, Atalanta do të tentojë të mbërrijë në finalen e Ligës së Europës. Mënyra e vetme është fitorja në dëm të Marsejës. Për qytetin dhe tifozët kjo është një herë e parë historike e megjithatë Xhan Piero Gasperini dhe të besuarit e tij duket se po e përjetojnë në mënyrë të qetë.
Kur dukej se nuk do të kishte dyshime për formacionin, në konferencë për shtyp trajneri bluzi ka njoftuar se do të ndryshojë diçka në formacionin që në fundjavë mundi në transfertë Salernitantën me golat e Skamakës dhe Kopmainersit. Nuk duket se dilemat e trajnerit prekin Berat Gjimshitin që është kolonë e skuadrës, me Gasperinin që deklaroi: “Vështirësia e kësaj ndeshjeje është vlera e Marsejës. Do të duhet të bëjmë një garë të shkëlqyer për të arritur në finale.
Mbërrijmë me vetëdijen për rëndësinë e kësaj jave, por duhet të mbetemi të fokusuar te rivali. Për sa më përket, kjo është një nxitje shtesë, aq më tepër kur arrihet në këto ndeshje, e di se duhet të prezantohesh në mënyrën më të mirë të mundshme. Padyshim që faktori i fushës në Marsejë ishte shumë i fortë, por synoj të bëj 2-3 ndryshime në formacion.”
PANORAMASPORT.AL