Destinacioni i Armando Brojës për sezonin e ardhshëm, mund të jetë Borussia e Dortmundit. Lajmi bëhet i ditur nga tablodi britanik “The Sun”, që këmbëngul se finalistët e Champions League janë në bisedime të avancuara me Chelsean për blerjen e sulmuesit të kombëtares shqiptare.
Sipas “The Sun”, Broja do të jetë lojtari i parë i bluve që do të shitet në verë, pasi bisedimet mes klubeve janë në fazë goxha të avancuar, dhe gjithmonë duke ju referuar tabloidit britanik, vetë Broja e dëshiron me ngulm këtë transferim.
I huazuar te Fulham ku ka patur deri tani një eksperiencë nën pritshmëritë pasi është aktivizuar me pikatore, ndryshimi i ambientit mund t’i bëjë mirë sulmuesit shqiptar dhe Borussia e Dortmundit është një ndër ato skuadra që mund të jenë vendi i duhur për t’u ringritur në nivelet më të lartë duke shfaqur të gjithë potencialin e tij.
Skuadër që ka fituar simpatinë e gjysmës së Europës, dhe së fundmi pasi eleminoi milionerët e PSG nga Championsi, Dortmundi mund t’i ofrojë Brojës vitrinën e duhur për të shkëlqyer jo vetëm në Bundesliga por edhe në kompeticionin kontinental ku verdhezinjtë janë protagonistë të përhershëm.
Veç të tjerash tifozeria e Signal Iduna Park është një ndër më të zjarrtat në Europë, dhe Broja do të gjente aty ambientin e duhur për t’u shndërruar në yllin e ri të skuadrës që ka patur në gjirin e saj lojtarë të rangut botëror si Erling Haaland apo Jude Bellingham, e Jadon Sancho sa për të përmendur disa.
jithsesi, Borusia e Dortmundit dhe Chelsea ende nuk kanë rënë dakord për çmimin e Brojës, pasi klubi gjerman nuk është i gatshëm për të arritur vlerësimin e bluve prej 50 milionë paundësh për kartonin e shqiptarit, pasi dëshiron të paguajë afërsisht gjysmën e kësaj shume.
Gjithsesi me shitjen e Brojës, një lojtar i rritur në akademinë e Chelseat, për klubin anglez shitja e tij do të figuronte e tëra si fitim i pastër, ndaj nuk është çudi që Chelsea të ulë pretendimet për Brojën, teksa Dortmundi ka në krahun e tij, gjithmonë duke ju referuar “The Sun”, edhe vullnetin e vetë sulmuesit./h.ll/abcnews.al