Ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll, do të luhet më 22 maj, pas një vendimi të premten nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Gara e trofeut të çmuar të vendit do të kulmojë me përballjen finale, ndërmjet Ballkanit e Prishtinës, por që ende nuk dihet se ku do të luhet, pasi nga FFK-ja është bërë e ditur vetëm data por jo edhe vendi.
Në mungesë të një stadiumi në kryeqytet, pasi ai në “Fadil Vokrri” është duke u renovuar, opsionet janë të pakta derisa janë vetëm edhe 12 ditë për të përcaktuar lokacionin e ndeshjes finale.
Në duelin vendimtar, Prishtina do të tentojë ta mbrojë trofeun e fituar vitin e kaluar, dhe njëkohësisht edhr duke e siguruar daljen në garat evropiane përmes Kupës.
Në anën tjetër, Ballkani që është lider i ligës, me 4 pikë më shumë se përcjellësit, lur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund, mund ta mbyllë sezonin me dy trofe.
Nga FFK-ja është bërë e ditur edhe data e ndeshjes finale te femrat, që do të luhet më 23 maj, ndërmjet Kosovës e Mitrovicës.
Ndërkohë, ndeshja e barazhit të Ligës së Parë do të luhet më 26 maj, kurse ndeshja e barazhit për Superligë zhvillohet më 1 qershor.