Granit Xhaka përfundoi ndeshje të kalibrit botëror kundër Romës së trajnerit Daniele De Rosi. Leverkusen e ka kthyer në “modë” golat gjatë minutave shtesë të ndeshjes.
Në total grumbullojnë 17 precedentë kur e kanë dërguar sferën në kuadrat gjatë këtij intervali, e thënë ndryshe 23.1% (136 gola kanë shënuar gjithsej). Vështirë në historinë e futbollit të gjendet në librin e artë ekip i ngjashëm me Leverkusen përsa i përket përmbysjeve dhe evitimit të humbjeve në limite. Roma rezultoi “viktima” e radhës. Mesfushori me origjinë kosovare Granit Xhaka u vlerësua futbollisti me notën më të lartë te Leverkusen, 8.9. Nëse i referohemi statistikave të mesfushorit, ai grumbullon 1 asist, 90 pasime të sakta nga 98 gjithsej, 92% shkalla e precizionit. Por nuk ndalet me kaq, Graniti fitoi 6 nga 8 duele, 8 topa të saktë nga 9 në total, thjesht i mungoi goli, ndonëse u përfshi me asist.
REAGIMI I XHAKËS – Në platformën sociale “Instagram”, futbollisti me numër “34” në “BayArena” kishte disa fjalë për të ndarë me fansat pas kualifikimit në finalen e Europa Ligës: “Wow! E pabesueshme. Le të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi të fokusuar. Kemi shumë më tepër për të arritur”, postimi i Xhakës.
Graniti zbarkoi në gjirin e Leverkusen me dëshirë të Ksabi Alonsos, i cili e vendosi në qendër të projektit. Brenda një kohë të shkurtër “aspirinat” janë kthyer në një makth të vërtetë për rivalët. Ata thyen hegjemoninë e Bajernit pas më shumë se 10 vitesh në Bundesligë, duke fituar kampionatin e parë në histori.
PANORAMASPORT.AL