Kur Bajerni i Mynihut shënoi në “Bernabeu”, duke e vënë me shpatulla pas murit Realin e Madridit, Ançeloti e gjeti zgjidhjen stolin e rezervave.
Kur De Bryjne e çoi ndeshjen çerekfinale te penalltitë në “Etihad”, dy nga pesë lojtarët e Madridit që shënuan te lotaria e penalltive e ndoqën lojën nga stoli. Kur Madridi ngeci në ndeshje të tjera me rëndësi si kundër Seviljes, Napolit e ndonjë tjetri, zgjidhja erdhi nga stoli. Kur problemet në formën e dëmtimeve filluan të bëhen gjithnjë e më prezente në dhomat e zhveshjes së Madridit në fillim të sezonit, ishte stoli që erdhi në ndihmë.
E kështu me radhë deri në 37 herë, 37 gola, nëse marrim parasysh lojtarët që para fillimit të garës nuk e kishin nisur me vendin e titullarit. Hoselu, heroi i një tjetër mbrëmje magjike në “Bernabéu”, është eksponenti më i madh i efikasitetit dhe ndikimit të stoli, ndikimit të tij, me 17 gola. Pesë nga këto 17 gola janë shënuar në ndeshje në të cilat ai nuk ishte titullar. Sulmuesi nuk ka qenë i vetmi që, nisur nga një rol dytësor, ka rezultuar protagonist. Brahim është, me 10 gola, golashënuesi tjetër i madh i “Bunit” të Ançelotit.
Por ka më shumë lojtarë që kanë dhënë kontributin e tyre. Rydiger, i graduar titullar për shkak të dëmtimit të Militaos, Modriç, Lukas Vaskez dhe Gyler kanë shënuar nga dy gola. Sebajos shënoi në Berlin (kundër Unionit) dhe madje një lojtar i ri si Niko Paz kontribuoi në fitoren 3-2 ndaj Napolit në “Bernabéu”. Këtij arsenali golash i duhen shtuar edhe 31 asiste të ardhur nga stoli.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL