Juventusi do të nisë një revolucion të vërtetë këtë verë, për të riformuar në maksimum një skuadër që duket se nuk është e denjë për emrin që përfaqëson, kështu që priten shumë largime e afrime, por mbi të gjitha mendohet për një mori me sakrifikime, për të financuar merkaton e kësaj vere, e cila pritet që të jetë shumë e gjatë dhe e lodhshme për drejtuesit e Juventusit.
Ndërsa vetë padroni Xhon Elkan ka vënë në dispozicion 70 milionë euro, kjo shumë pritet që të pasurohet edhe me dhjetra miliona të tjerë, mbase edhe mbi 100 milionë euro të tjerë, duke parë se për goditje të mëdha pritet të shiten ata që përfaqësojnë “minierën e arit” në “Kontinasa”. Bëhet fjalë për talentet e shumtë që bardhezinjtë kanë në dispozicion të tyre dhe “diamantet” më të çmuar pritet që të financojnë edhe merkaton e goditjeve të mëdha. Më i kërkuari aktualisht është edhe ai që në Torino do të sakrifikohet mes shumë pengjeve, ndonëse i nevojshëm për shumën që mund të sjellë.
Bëhet fjalë për fantazistin Matias Soule, argjentinasin për të cilin “Zonja” ka hapur një ankand që nis nga 40 milionë euro dhe Kristal Palas, Aston Vila e Njukasëll janë gati që të paguajnë për të bërë të tyre mëngjarashin 21-vjeçar, që sivjet numëron 12 gola me Frozinonen. Njukasëlli është gjithashtu në linjën e parë për “diamantin” tjetër, mbrojtësin Din Huijsen, i cili vlerësohet 30 milionë euro nga Juventusi, por duke qenë se për spanjollo-holandezin janë në garë edhe Lajpcigu e Dortmundi, shifrat mund të rritet edhe më tej. Ndërkohë, edhe mesfushor Enzo Barreneçea e Kaio Zhorzh, që gjithashtu janë të huazuar te Frozinone mund të sjellin nga 10-15 milionë euro secili, ndërkohë që të sigurta janë 10 milionë eurot nga Xhenoa për mbrojtësin Koni De Vinter.
Fabio Mireti gjithashtu është një tjetër talent që ka shumë kërkesa dhe ai duket i destinuar te Monza për 12-15 milionë euro, shifër kjo që mund të përfshihet më pas në blerjen e portierit Di Gregorio, që luan për milanezët. Një tjetër lojtar me perspektivë me valixhe në duar është mesfushori i majtë anglez, Samuel Iling, për të cilin Totenhemi këmbëngul prej 1 viti duke ofruar 15 milionë euro. Por këtë verë, me 20-vjeçarin që ka kontratën në skadencë me Juven në verën e vitit 2025, shitja duket automatike, ndonëse në garë për të është edhe Arsenali e Evertoni. Kësaj liste largimesh pa dyshim që do i shtihen edhe emra të tjerë si për shembull Mois Ken, Arkadiuzh Milik, Filip Kostiç, Gleison Bremer etj.,por edhe pa llogaritur këta më të mëdhenjtë në moshë, vetëm me talentet e tij Juventusi mund të financojë një merkato fantastike pas arkëtimeve.
PANORAMASPORT.AL