Wednesday, 15. July 2026
Sport

FC Ballkani: Po përballemi me fushatë të pakuptimtë, do dalim me informata tjera sapo të marrim detajet nga të gjithë

GS 12/05/2024 3 Min. Lesezeit

FC Ballkani ka reaguar pas akuzave nga Fushë Kosova, të lëshuar pas përballjes së tyre sot në Suharekë.

Menjëherë pas ndeshjes, klubi i Fushë Kosovës në faqen zyrtare shkroi për një skandal, duke shkruar se “lojtarët dhe trajneri janë sulmuar nga presidenti i Ballkanit dhe disa anëtarë të kryesisë”.

Madje, trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, në një prononcim për “Express” tha se ai personalisht është sulmuar nga presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi.

Klubi i Ballkanit ka reaguar tashmë zyrtarisht lidhur me këtë, duke mohuar se ka ndodhur një incident i tillë.

Kampionët në fuqi të Kosovës vlerësojnë se ndaj tyre është duke u bërë një fushatë e pakuptimtë, me qëllim për të dëmtuar reputacionin e tyre.

Ballkani në reagim mes tjerash shkroi: “Për fat të keq, një rezultat i tillë e mese normal ndaj Fushë Kosovës, nuk qe i kapërdishëm për dikë, konkretisht zv.trajnerin e tyre, i cili rrugës për zhveshtore, nisi të fyej e ofendojë në drejtim të anëtarëve tanë, e dikush edhe mund të ja ketë kthyer me fjalorin e njëjtë. Për këtë posa t’i marrim të gjitha detajet nga akterët, do të sqarohemi me informacione të tjera”

Reagimi i plotë nga klubi i Ballkanit (pa ndërhyrje):

“Vazhdojmë të bëjmë detyrat tona në fushë, duke luftuar ndeshje pas ndeshje, e duke bërë atë që na takon, si klub që i dha shumë futbollit të Kosovës.

Për fat të keq, jemi duke u përballur me një fushatë të pakuptimtë kundër nesh, me tendencë dëmtimin e reputacionit tonë.

Nuk kalojnë akuzat për asnjë sulm në shtëpinë tonë. Ndeshjet fitohen apo humben në fushë, kur aty mbyllet takimi, të tjera vegëza nuk e ndryshojnë asnjë gjë.

Zhvilluam sot një ndeshje të qetë, të thjeshtë dhe me dominim të pritshëm e logjik, ndaj një skuadre tashmë të Ligës së Parë. Shënuam 3 gola dhe krijuam raste edhe për shumë gola tjerë.

Për fat të keq, një rezultat i tillë e mëse normal ndaj Fushë Kosovës, nuk qe i kapërdishëm për dikë, konkretisht zv.trajnerin e tyre, i cili rrugës për zhveshtore, nisi të fyej e ofendojë në drejtim të anëtarëve tanë, e dikush edhe mund të ja ketë kthyer me fjalorin e njejtë. Për këtë posa t’i marrim të gjitha detajet nga akterët, do të sqarohemi me informacione të tjera.

Kemi humbur edhe ne nga kundërshtari i sotëm në ndeshjen e kaluar, por fajin për atë paraqitje e kemi kërkuar brenda nesh, nuk kemi ofenduar oponentët.

Andaj le ta kuptojnë të gjithë njëherë e mirë, përfshirë edhe disa media që po ua zë “rrugën” suksesi ynë, qartësisht klubi i Ballkanit mbetet sinonim i mikëpritjes së mirë për të gjitha skuadrat që vijnë në Suharekë, ashtu siç ka qenë gjithmonë.

Ashtu ishte edhe sot, ndeshje fer e korrekte, përshëndetje mes palëve dhe gjithçka në formën e duhur.

Ne fituam sepse ishim më të mirë në çdo aspekt, andaj duhet pranuar ky fakt!”.

Teilen: