Titulli në xhep, finalja e Ligës së Kampioneve përpara, por Reali nuk ngopet së fituari. Festa e titullit vazhdon për ekipin e Ançelotit, që të martën në mbrëmje ka mundur Alaveshin me shifrat 5-0, duke siguruara fitoren e radhës në La Liga.
l
Për madrilenët kjo ishte fitorja e nëntë radhazi në kampionat, teksa ndalesa e fundit ka qenë ajo e 1 marsit në javën e 27-të kundër Valencias. E udhëhequr nga një Vinicius i shkëlqyer (autor i dy golave), Reali është argëtuar ndaj Alaveshit, duke e zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë kur ka shënuar tri herë për t’i shtuar edhe dy të tjerë në pjesën e dytë.
PA MËSHIRË – Reali i Madridit ka zbritur në fushë aty ku e kanë “pritur” 36 kupat e fituara në La Liga. Ançeloti nga ana tjetër ka lënë pushim vetëm Rydigerin, duke hedhur në fushë një skuadër që dukej se po niste të luante finalen e Champions-it. Çuditërisht fillimi ka qenë më i mirë për miqtë por vetëm kaq, sepse që në minutën e 10-të kur Bellingam ka kaluar në epërsi Madridin është kuptuar ecuria. Reali shtyn përpara dhe në garën brenda shtëpisë, Vinicius i përgjigjet Bellingamit duke shënuar golin e dytë. Reali nuk bën pas dhe mbyll llogaritë e fitores me golin e tretë të shënuar nga Valverde.
VINICIUS – Pjesa e dytë ngjan me një stërvitore, por Reali është i vëmendshëm për të mos falur asgjë. Por dhe të kërkojë ndonjë gol më shumë. Njëzet minuta nga fundi, Vinicius Zhunior shënon golin e dytë të mbrëmjes për veten e tij dhe të katërtin për Realin që vazhdon të argëtohet në fushë. Festa nuk ka mbaruar ende. Në tabelën e golashënuesve ka ende vende bosh dhe Gyler, i hedhur në fushë në këtë pjesë shënon golin e pestë që mbyll përfundimisht takimin.
PANORAMASPORT.AL