Me Barcelonën që luan për vendin e dytë që i jep të drejtën për të qenë pjesëmarrës në Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite vitin e ardhshëm, trajneri i saj Ksavi Hernandez do të shënojë ndeshjen e tij të 100- të në La Liga si trajner i katalanasve në Almeria.
Ai bëri debutimin e tij dy vjet e gjysmë më parë, në nëntor 2021, kur u përball me Espanjolin në një derbi në “Camp Nou” (1-0). Ishte java e 13-të e kampionatit spanjoll 2021-2022. Në totalin e 99 ndeshjeve të trajnuara, trajneri i Barcelonës numëron 68 fitore, 16 barazime dhe 15 humbje, që përfaqëson 84% të ndeshjeve të ligës pa humbje, 191 gola pro dhe 86 kundër. Ksavi ka komentuar gjithçka para takimit ndaj Almerias, ku theksi është vetëm fitorja që do ta afronte me objektivin, veçanërisht pas humbjes së Gironës.
100 NDESHJET – “Në sezonin e kaluar kemi bërë shkëlqyeshëm, kemi fituar në ‘Bernabeu’ 0-4, kemi fituar titullin në La Liga në fushën e Espanjolit (derbi). Fitimi i Ligës ishte madhështore. Këtë vit kemi dështuar, nuk kemi rivalizuar si duhet”.
NDESHJA – “Nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht se luajmë kundër Almerias që ka rënë nga kategoria. Kjo i bën më të vështirë ata, sepse luajnë të shpenguar, pa asnjë presion”.
VIKTOR ROKE – “Nënshkrimi me të ishte disi i parakohshëm, nuk ishte gati që të vinte në dhjetor. Ai duhej të qëndronte në Brazil, por Gavi dhe Balde u lënduan dhe ne vendosëm që ai të vinte për të mirën e tij, stërvitjen, në mënyrë që të njihej me klubin”.
PËRFORCIMI – “Objektivi është të ndryshojmë dhe të përmirësohemi, përndryshe ne mbetemi të njëjtë. Duhet të ndryshojmë atë që nuk është bërë mirë në këtë sezon”.
MESAZH TIFOZËVE – “Ne do të përpiqemi të konkurrojmë denjësisht. Tifozët e Barcelonës duhet të kuptojnë se situata ekonomike nuk ka lidhje me atë që ishte 25 vjet më parë. Situata është e vështirë dhe e ndërlikuar. Nuk jemi në situatën e klubeve të tjera me një situatë më të mirë ekonomike. Por edhe pse kemi probleme financiare, kjo nuk do të thotë që ne nuk konkurrojmë apo duam të luftojmë për tituj. Ne kemi nevojë për kohë për të konkurruar”.
OBJEKTIVI – “I vetmi që na ka mbetur është ta mbyllim në vendin e dytë që do të na siguronte dhe një vend në Superkupën e Spanjës në sezonin e ardhshëm”.
PANORAMASPORT.AL