Federiko Dimarko i be fason të gjithë. Mbrojtësi kampion i Italisë me skuadrën e Interit ka thënë se askush nuk e besonte që ky ekip do të fitonte yllin e dytë këtë sezon. Ai përveçse është lojtar është mbi të gjitha edhe tifoz i zikaltërve. Ka folur për “Mediaset” në lidhje me sezonin, befasitë, festën dhe mbi të gjitha Europianin.
Në rrjetet sociale ju postuat një video që tregonit historinë tuaj, nga unaza e dytë e stadiumit në yllin e dytë. Na e tregoni pak shkurtimisht, çfarë do të thotë?
Doja të tregoja pak atë që ka ndodhur për të arritur fitoren e kampionatit me skuadrën e Interit dhe fitoren e yllit të dytë. Personalisht shpresoj që të jetë një video që mund t’ju shërbejë edhe të tjerëve që janë në momente të vështira në karrierën e tyre, që të kërkojnë patjetër të ringrihen. Unë kur kam qenë i ri kam pasur vështirësi dhe kam gjetur forcën të ringrihem gjithmonë për të arritur ëndrrat dhe objektivat që kisha.
Një nga periudhat më të vështira besoj ka qenë me Sionin?
Po është e vërtetë. Por do të më duhet shumë kohë ta tregoj gjithçka që ndodhi. Është e vërtetë që me Sionin kam kaluar një moment aspak pozitiv në karrierë.
Dua t’ju pyes, sa i lumtur jeni si tifoz që Interi ka një mbrojtës të majtë kaq shumë efikase dhe të mirë, duke ditur që në të shkuarën ka pasur probleme?
Jam sigurisht shumë i lumtur për atë që po bëj unë personalisht, por edhe e gjithë skuadra. Jam i kënaqur që kjo skuadër dhe ky grup bashkë me trajnerin ka arritur të fitojë titullin kampion falë punës së përditshme dhe e ka fituar në vitin kur askush nuk besonte tek kjo gjë. Askush nuk mendonte që Interi do të dilte kampion pasi ndryshuan kaq shumë lojtarë në merkaton e verës.
Ju e keni fituar titullin dhe keni festuar, por kupën do ta ngrini me Lacion. Ka 210 mijë kërkesa për bileta, sa do të duheshin 3 stadiume. Si e përjeton skuadra këtë moment?
Skuadra do të prezantohet patjetër në mënyrën më të mirë të mundshme për të kërkuar rezultatin pozitiv. Jemi përpara tifozëve tanë dhe e dimë se sa shumë njerëz do të vijnë të dielën dhe sa shumë na kanë ndjekur gjithë vitin në çdo vend të Italisë dhe të Europës. Duhet të japim maksimumin për të përfaqësuar këto ngjyra, siç bëjmë gjithmonë.
Ky sezon përfundoi, ndërsa i radhës pritet me shumë ndeshje dhe me impenjime. Mendon se do të jetë i vështirë, apo mund të menaxhohet?
Sezoni i ri do të jetë sigurisht më i plotë, por do të jetë ashtu si të gjithë sezonet e tjera. Të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira, por gjithsesi ne do të luajmë. Ne duhet të tregojmë që jemi një skuadër e fortë, atë që në fakt treguam edhe këtë vit gjatë kampionatit. Do të japim maksimumin në fushën e lojës.
Cili prej shokëve të skuadrës ju ka impresionuar më shumë gjatë këtij sezoni dhe cili ka qenë më i çmenduri në festën e titullit?
Në fushën e lojës askush nuk e priste që të ishte kaq mirë. Markus Turam është emblema e kësaj skuadre këtë vit dhe ka qenë vendimtar në shumë ndeshje. Unë në fakt kam besuar që nga dita e parë, por ai tregoi se vlen shumë. Sa i përket festës kemi qenë të gjithë të çmendur në festë dhe e shijuam gjithçka.
Pas dy ndeshjesh me Interin është Europiani dhe ju jeni gati për t’u grumbulluar…
Duhet të përgatitemi mirë për këtë Europian për të mbrojtur titullin e kampionëve. Do të shkojmë në Gjermani për të dhënë maksimumin për fanellën e kaltër.
E shihni të mundur që kombëtarja e Spaletit të shkojë deri në fund të rrugëtimit në Europian?
Ne jemi Italia dhe në çdo ndeshje zbresim në fushën e lojës për të treguar vlerat tona. Sigurisht që duam të vëmë në vështirësi formacionet e tjera dhe fusha do ta tregojë këtë gjë. E sigurt është që do të lëmë zemrën në fushë.
Le të flasim pak për Champions-in. Mendoni se Dortmundi është ashtu si Interi në sezonin e kaluar dhe vuri në vështirësi Sitin. A mund ta fitojë duelin me Realin?
Tani ti do që unë të bëhem meme sepse do të dalë e kundërta e asaj që them. Të gjitha ndeshjet janë për t’u luajtur në fakt. Por të gjithë e dimë që Reali i Madridit në Champions është si në shtëpinë e tij dhe ka fituar 14 trofe. Ka një avantazh të lehtë dhe të vogël Reali i Madridit, por të shohim sepse në futboll nuk mund të bësh parashikime të tjera.
PANORAMASPORT.AL