Një gjë është zyrtare, ndeshja kundër Seviljes të dielën në mbrëmje do të jetë e fundit për Ksavin si trajner i Barcelonës. Këtë e ka komunikuar vetë klubi katalanas. Tjetra që dihet është se Hansi Flik do të jetë trajneri i ardhshëm i katalanasve.
Por zyrtarizimi ende mungon, sepse deri në emërimin e gjermanit, nënkampionët e Spanjës do të duhet të rregullojnë disa çështje brenda shtëpisë. Mes tyre janë dhe modalitetet e ndarjes me Ksavin dhe stafin e tij, që pritet t’i kushtojë jo pak financave të klubit. Flik ka folur me dy nga drejtuesit e klubit, Bojan Kërkiç dhe Dekon. Barcelona nëpërmjet të dërguarve të saj ia ka dhënë fjalën trajnerit gjerman. Ndërkohë, vetë ky i fundit është në pritje të telefonatës së bekuar që do të zyrtarizonte gjithçka. Apriori, nuk do të jetë një lidhje e gjatë, por asgjë nuk është e mbyllur apo e nënshkruar. Vendimin e Barçës për t’ia besuar drejtimin e ekipit Hansi Flikut e ka komentuar dhe përgëzuar dhe legjenda e Bajernit, Lotar Mateus.
“Stili i Hansit i përshtatet Barcelonës”, tha ish-futbollisti gjerman për “Bild”. Mateus, i cili e njeh mirë bashkatdhetarin e tij, shkoi aq larg duke e krahasuar Flikun me Guardiolën. “Me Pep Guardiolën, Barcelona ishte spektakël dhe futboll i mrekullueshëm dhe këtë stil Barça mund ta rikuperojë me Flikun në drejtim”
PANORAMASPORT.AL