Danimarka dhe Serbia janë dy gjysmëfinalistët e parë të Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç në futboll për djem, që është duke u zhvilluar në Qipro dhe që po vjen drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Në fakt në çerekfinalen e parë, atë mes Republikës së Çekisë dhe Danimarkës, janë kërkuar penalltitë për skuadrën, e cila do të vazhdojë më tej. Penkza ka shënuar në të 71’, kjo pas një gjuajtje nga rreth 20 metra, e cila ka përfunduar në krahun e djathtë të Breum-Herild. Në të 82’, të njëjtën gjë bën Obi, ndërsa topi i rrëshqet nëpër duar Obderzalekut e përfundon në rrjetë. Në gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë, Breum-Herild ka pritur njëmbëdhjetëmetërshin e tretë e më pas Danimarka ka fituar 5-3.
Festival golash në çiftin tjetër Austri – Serbi. Brenda katër minutash shënohen dy gola. Fillimisht Adejunugure në të 1’ dhe barazon Rankoviç në të 4’. Madje i njëjti lojtar me një gjuajtje potente nga rreth 20 metra do të përmbyste në fundin e pjesës së parë dhe 2-1 për Serbinë. Në të 55’, Rankoviç ndërton kundërsulmin, që e kthen në gol për Serbinë, Cvetkoviç. Adejunugure i jep një shans Austrisë, teksa ka shënuar në të 79’, ndërsa Jovanoviç ka mbetur pa lëvizur duke e parë topin që përfundon në rrjetë. Por vetëm kaq dhe 3-2 për Serbinë. E enjtja është për gjysmëfinalet e tjera, atje ku në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë në ora 19:30, Itali – Angli. Kampionati Europian i moshës deri në 17 vjeç përfundon më 5 qershor.