Kjo do të jetë java ven dimtare për të mësuar nëse Adrien Rabio dhe Juventusi do të mund të arrijnë një akord për rinovimin e kontratës, e cila skadon më 30 qershor. Prej 4 ditësh e ëma menaxhere e lojtarit, Veronik, është në Torino dhe po bisedon me drejtorin sportiv të “Zonjës së Vjetër”, Kristiano Xhuntoli, për të arritur në një marrëveshje e cila mund të jetë e kënaqshme për të dyja palët.
Sigurisht që tratativa nuk do të jetë aspak e lehtë, duke marrë parasysh sesa shumë klube të rëndësishme europiane janë hedhur në sulm të Rabiosë, aq më tepër duke u nisur nga fakti se nga data 1 korrik ai mund të firmosë me cilindo klub në botë, pa pasur nevojën që të paguhet asnjë qindarkë. Por nëse Barcelona, Bajerni i Mynihut, Mançester Junajtid dhe Arsenali janë prej kohësh në ndjekje të tij dhe pritët që të intensifikojnë markimin ndaj Adrienit dhe të ëmës së tij, ditën e djeshme media italiane lëshon bombën.
Xhuzepe Marota, njeriu që punoi për ta sjellë në Torino nga PSG-ja, me parametër zero, kërkon dhe shpreson që të përsërisë të njëjtën tentativë, 5 vite më vonë, sërish pa paguar asnjë qindarkë. Sigurisht që duke parë lidhjen e fortë të vetë mesfushorit me Juventusin dhe tifozët bardhezi, kjo duket një tratativë e përmasave shumë të vështira, por Xhuzepe Marota është nga ata drejtues që ka ditur gjithmonë të bëjë magjira, aq më shumë kur bëhet fjalë për “parametra zero” dhe ai do të provojë që ta sjellë tek Interi.
Karta e tij e fortë është njohja dhe respekti reciprok që ka me të ëmën e 29-vjeçarit, atë të cilën e bindur për t’u transferuar në 2018-ën në Torino, pavarësisht ofertave pa fund. Madje, Marota është gati që t’i paguajë Veronik Rabiosë kërkesën e saj prej 10 milionë eurosh, bonusin e firmës që kërkon për djalin e saj, duke qenë se ai pas 30 qershorit do të jetë një lojtar i lirë. Shkurt, te Juventusi duhet të nxitojnë tani e në vazhdim…
PANORAMASPORT.AL