M ë në fund erdhi momenti, Dortmundi dhe Reali sot përballen ora 21:00 në “Uembli” me kampionët e Spanjës të konsideruar favoritët e mëdhenj. Por çfarë thonë duelet kokë më kokë?
PORTA – Gardiani i Dortmundit, Gregor Kobel e mbajti ekipin e tij në lojë disa herë këtë sezon të Champions me reflekse të pabesueshme. Por Kurtua mund të rikthehet mes shtyllave në këtë ndeshje, edhe pse humbi pjesën më të madhe të sezonit dhe Reali është këtu sot edhe falë mrekullive të Luninit me Sitin, por edhe me Bajernin. Fiton Kobel.
MBROJTJA – Rajerson është i besueshëm si një orë zvicerane. A do të arrijë norvegjezi që të bllokohet në mbrojtje kundër Realit me stilin agresiv të lojës së Karvahalit në korsinë e tij. Në dyshim mbetet. Fiton Rajerson. Edhe nëse nuk i lejohet të shkojë në Kampionatin Evropian, Mats Humels është një nga qendërmbrojtësit më të mirë në Gjermani. Ai e tregoi këtë veçanërisht në disa paraqitje të bujshme në Champions kundër Mbapesë në gjysmëfinale. Naço u rreshtua pranë Rydigerit këtë sezon dhe mund të jetë një nga pikat e dobëta të mbrojtjes sot. Fiton Humels. Shloterbek ka pasur një kurbë në ngritje të formës së tij këtë sezon, por Rydiger është shefi i mbrojtjes së Realit dhe kombëtares gjermane që ofron garanci. Fiton Rydiger. Ian Matsen ka shkëlqyer në korsinë e majtë për Dortmundin, ndërsa ndihmon edhe në sulm, por Mendi nuk e fiton dot duelin me mbrojtësin e Dortmundit, edhe pse është zgjidhje e besueshme në të majtë sepse ka vuajtur problemet fizike: Fiton Matsen.
MESFUSHA – Kapiteni i Dortmundit Emre Xhan ka qenë gjithmonë bindës muajt e fundit. Por nëse kundërshtari lëviz shpejt, ai shpesh mbytet. Mund të bëhet një faktor pasigurie ndaj madrilenëve dhe Kamavingës në veçanti. Fiton Kamavinga. Zabicer ishte blerja më e mirë e Terziç në verë, por përballë do të ketë Toni Krosin. Vështirë ta mposhtësh veteranin e Realit në këtë ndeshje të fundit në karrierë me Realin. Fiton Kros. E njëjta histori vlen edhe në duelin Brand-Bellingam. Mesfushori gjerman u kthye në formacionin titullar të Dortmundit pas një krize të përkohshme të formës. Pesë gola në Champions League janë mbresëlënëse. Por përballë është Bellingam, që në kampionat shënoi 19 gola me Realin. Ka ende vend për përmirësim për anglezin, siç treguan ndeshjet me Bajernin dhe Sitin, por… Fiton Bellingam. Karim Adejemi arriti të fitojë vendin e tij në skuadrën e Terziç, duke qenë shumë premtues me shpejtësinë e tij. Por a është më i shpejtë se Rodrigo? Fiton Rodrigo. Një lojtar i pagabueshëm ishte Xhejdën Sanço në gjysmën e dytë të sezonit. Konsistenca flet për anglezin, por përballë Fede Valverdes ka disa dyshime se cili fiton. Edhe pse statistikat e tij personale janë ulur në krahasim me sezonin e kaluar, vlera dhe rëndësia e uruguaianit për lojën e Realit është rritur. Fiton Valverde.
SULMI – Në sezonin e tij të parë për verdhezinjtë, Fylkrug ishte ai numri një absolut në qendër të sulmit. Megjithatë, nëse ai merr shumë pak pasime, lojtari i kombëtares zhduket shpejt. Kjo mund ta kërcënojë edhe në finalen e Champions-it. Për shkak të natyrës së tij tejet provokuese, Vinicius Zhunior është kritikuar vazhdimisht. Megjithatë, nuk ka dyshim për aftësinë e tij të jashtëzakonshme me topin. 34 përfshirje gola në 38 ndeshje janë fantastike. Fiton Vinicius. Ndërsa dueli kokë më kokë përfundon me 7:4 për Realin.
PANORAMASPORT.AL