Liga e Kampioneve është një trofe i lavdishëm për Realin e Madridit. Mbretërit e Europës kanë një simbiozë të çuditshme me kupën me veshë të mëdhenj dhe sonte në mbrëmje në Londër do të kërkojnë të shtojnë një tjetër në muzeun e tyre në “Bernabeu”.
Klubi i bardhë numëron 14 tituj europianë dhe do të luajnë për të pesëmbëdhjetin. Bashkë me lavdinë, fitimi i Ligës së Kampioneve do të thotë dhe një shpërblim i majmë për lojtarët dhe stafin teknik të ekipit. Presidenti Perez ka prishur rregullin e tij dhe ka vendosur të shpërblejë çdo lojtar dhe anëtar të stafit teknik me 1.4 milionë euro në rast suksesi në Ligën e Kampioneve. Në fakt ky është çmimi që ai ka vënë për tripletën e Realit, Superkupa e Spanjës-La Liga-Liga e Kampioneve. Por milionerët e Realit shohin përtej një shpërblimi të tillë që për hir të së vërtetës nuk është shaka. Ata po i kushtojnë rëndësi të veçantë dopietës titull në La Liga dhe titull në Champions.
Në Spanjë, nisur nga historia e thonë shpesh se “të fitosh një Liga është e ndërlikuar. Të fitosh një Kupë Europiane është pothuajse një ëndërr. Dhe t’i fitosh të dyja së bashku në një sezon është një kimerë”. Këtë e dëshmon edhe fakti se në finalen e Londrës sonte në mbrëmje, Reali ka mundësinë të realizojë dopietën e pestë (Ligë dhe Champions) në 122 vite histori. E të llogaritësh që në muzeun e trofeve Reali numëron 36 tituj në La Liga dhe 14 tituj Champions në Europë. Reali ka realizuar dy dopietat e para në vitet 1957 dhe 1958 dhe më tej në vitin 1960. Për të fituar sërish dopietën do të priste 59 vjet, pikërisht në vitin 2017 me Zidan në krye.
PANORAMASPORT.AL