Elseid Hysaj po bëhet gati të përjetojë si protagonist Europianin e dytë në karrierën e tij.
Por pas këtij aktiviteti, duhet të mendojë edhe për të ardhmen në nivel personal në klub.
Mediat italiane bëjnë të ditur se futbollisti shqiptar nuk është më në planet e Lacios dhe pas tre vitesh si pjesë e bardhekaltërve, duhet të bëjë gati valixhet për t’i dhënë lamtumirën klubit.
Emri i tij në fakt është përmendur shpesh si një nga lojtarët që do të sakrifikohet pas largimit të Sarrit, ndërsa mbetet të shihet se çfarë ofertash ka në tavolinë për mbrojtësin e djathtë të Kombëtares, i cili po i afrohet shifrës së 300 ndeshjeve të luajtura në Serinë A.